Ndërlidhjet

Shqipëri: Shumica miraton projektligjet nën sprej tymues


Kaosi në Kuvendin e Shqipërisë. 9 nëntor 2023.
Kaosi në Kuvendin e Shqipërisë. 9 nëntor 2023.

Kuvendi i Shqipërisë nuk arriti as këtë të enjte të zhvillojë seancë të qetë.

Deputetët e opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit, Sali Berisha, bllokuan foltoren e Kuvendit duke vendosur aty karrige dhe më pas hodhën sprej tymues.

Pas kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përjashtoi deputetin e opozitës, Saimir Korreshi, i cili hodhi sprejin tymues në sallë.

Mes kaosit të krijuar, shumica votoi projektligjet e përcaktuara në rendin e ditës.

Gjashtë prej tyre, që ishin propozime të Partisë Demokratike në opozitë, u rrëzuan.

“Do ishte e udhës që deputetët e opozitës të merrnin fjalën dhe të shpjegonin qëllimet pse kanë marrë këto iniciativa ligjore. Mos u keqpërdorni nga interesi personal i një njeriu, që ka marrë peng PD-në prej 33 vitesh. Vendosja e flakadanëve dhe lëndëve kimike, është një vepër penale”, tha ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Seanca u mbyll pas 20 minutash, mes tymit të shkaktuar nga spreji tymues dhe bllokimit të foltores me karrige.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se situata e krijuar është përgjegjësi e pushtetit, që sipas tij "po asgjëson pluralizmin".

“Kanë tmerr nga të drejtat kushtetuese të opozitës. Parlamenti po funksionon njëlloj si në diktaturë. Nevojitet rivendosja e të drejtave kushtetuese të deputetëve, dhe lejimi i krijimit të komisioneve hetimore parlamentare, që janë frenuar nga Edi Rama”, theksoi ai.

Berisha deklaroi se bllokimi i komisioneve dhe seancave parlamentare do të vijojë derisa të plotësohen kërkesat e opozitës.

Deputetët e opozitës akuzojnë shumicën për refuzimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore, dhe se po kërkon të imponojë përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore, kjo për shkak të përplasjeve brenda Partisë Demokratike.

Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, u shpreh pas mbylljes së seancës se shumica "do të vazhdojë të miratojmë ligje, dhe të Qeverisë".

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe deputetët që e mbështesin atë, nuk morën pjesë në seancë, ashtu siç kanë bërë edhe në dy seancat e kaluara, ku është krijuar e njëjta situatë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG