Australia dhe Zelanda e re ua ndalojnë hyrjen të huajve
Australia dhe Zelanda e Re do t’iu ndalojnë hyrjen të gjithë shtetasve të huaj, nisur nga e premtja, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha se urdhri do të hyjë në fuqi më 20 mars, në orën 21:00, sipas kohës lokale.
Ndalesat në Zelandën e Re do të nisin mesnatën e sotme.
Ato nuk do të vlejnë për shtetasit e Australisë, përkatësisht Zelandës së Re, për banorët me leje të përhershme qëndrimi apo për familjet e tyre.
Udhëheqësit e dy vendeve kanë thënë se kanë punuar së bashku për këto rregulla.
Të dyja vendet po ashtu i kërkojnë secilit – pavarësisht shtetësisë ose vendit nga vjen – që të vetizolohet për 14 ditë.
Australia ka mbi 600 të infektuar me koronavirus, ndërsa gjashtë pacientë atje kanë humbur jetën.
Në Zelandën e Re janë shënuar 28 raste pozitive.
Në Klinikën Infektive në Prishtinë po trajtohen 13 pacientë me koronavirus
Nga 20 personat e prekur me koronavirus në Kosovë, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare aktualisht janë të shtrirë trembëdhjetë persona.
Infektologu Valbon Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se të gjithë pacientët janë në gjendje stabile, porse mbeten nën mbikëqyrje mjekësore.
Ai tha se qytetarët që dyshojnë se janë të prekur me koronavirus, në vazhdimësi po i frekuentojnë institucionet shëndetësore për t’i kryer testet laboratorike.
"Sa i përket testimit, nuk mund të jap ndonjë numër të saktë se sa njerëz gjatë ditës po testohen, meqë frekuenca e tyre është e madhe. Por, të gjitha testet kryhen në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik gjatë ditës, përpos atyre që vijnë pasdite, e që analizat u dalin të nesërmen në mëngjes”, tha Krasniqi.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.
Kryenegociatori i BE-së për Brexit-in ka koronavirus
Michel Barnier, kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Brexit-in, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Në një postim në Twitter, ku bëri të ditur diagnozën, Barnier tha se ndjehet mirë.
Barnier është dashur të zhvillojë bisedime këtë javë në Londër, rreth daljes së Britanisë nga BE-ja (Brexit), por ato janë anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ora policore në Beograd
Të mërkurën, në orën 20:00, ka hyrë në fuqi ora policore në Beograd, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Masa do të zbatohet çdo mbrëmje nga ora 20:00 deri në 5:00.