Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
22:05 18.3.2020

Cila është situata rreth botës?

Pjesa më e madhe e vëmendjes është fokusuar në Evropë, kontinentin e prekur më së keqi nga pandemia me koronavirus. Mirëpo zhvillime të reja janë raportuar në gjithë botën, teksa virusi vazhdon të përhapet.

Ministri i Shëndetësisë në Pakistan ka konfirmuar rastin e parë me fatalitet si pasojë e sëmundjes.

Pacienti, një burrë 50-vjeçar ka vdekur në provincën veriperëndimore, Khyber Pakhtunkhwa. Ai është raportuar se ishte kthyer nga një udhëtim nga Arabia Saudite. Më shumë se 200 raste janë konfirmuar me këtë virus në këtë shtet.

Shqetësimet janë vërejtur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë vendosur ndalesë për të gjithë udhëtarët e huaj deri në njoftimin e radhës, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, WAM.

Dy persona tjerë kanë vdekur në Brazil, ka bërë të ditur autoriteti shtetëror për shëndetësi, duke dërguar numrin e viktimave në tre.

Ndërkohë në Peru, presidenti Martin Vizcarra ka njoftuar për ndalim të lëvizjeve gjatë natës, teksa tenton të ndalojë shpërthimin. Qytetarëve të Perusë u është kërkuar të qëndrojnë brenda nga ora 8 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit. Numri i të infektuarve është rritur nga 117 në 145 në 24 orët e fundit, ndonëse nuk ka vdekur askush.

22:22 18.3.2020

Senati amerikan miraton projektligjin 100 miliardë dollarësh për ndihma

Senati amerikan ka miratuar një projektligj për ndarje të 105 miliardë dollarëve për ndihmë në luftim të koronavirusit.

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet ta kthejë këtë dokument në ligj.

Ky projektligj fillimisht është miratuar gjatë fundjavës nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Ai përfshin:

-Testim falas për koronavirus për të gjithë amerikanët, pa marrë parasysh sigurimin shëndetësor.

-Deri në fund të vitit, bizneset me më pak se 500 punëtorë, duhet të ofrojnë pushim dyjavor me pagesë për personat e prekur me koronavorus, apo për familjet që kanë pasur të infektuar.

-Më shumë fonde për programet e ndihmave ushqimore me të ardhura të ulëta, bashkë me një varg masash tjera.

Koronavirusi i ri ka prekur të paktën 6,496 persona në të gjitha 50 shtetet amerikane, derisa numri i të vdekurve ka arritur në 114.

08:22 19.3.2020

Trump: Do ta mundim armikun e padukshëm

Duke e përshkruar veten si “president të kohës së luftës”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara do të arrijnë fitore të plotë kundër koronavirusit.

“Duhet të sakrifikojmë së bashku, sepse të gjithë jemi bashkë në këtë situatë dhe do t’ia dalim bashkë. Është një armik i padukshëm, por ne do ta mposhtim atë”, tha Trump në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë.

“Mendoj se do ta mposhtim edhe më shpejt seç kemi menduar dhe do të jetë një fitore e plotë”, tha ai.

Trump, fillimisht, tha se do të nënshkruajë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes të vitit 1950, i cili i jep autoritet presidentit t’i drejtojë bizneset civile për të ndihmuar në përmbushjen e urdhrave.

Por, më vonë, në një postim në Twitter ai tha se do ta ndërmarrë këtë hap "në rast të një skenari më të keq në të ardhmen".

Shtetet e Bashkuara kanë mbi 9,300 njerëz të infektuar me koronavirusin që shkakton sëmundjen COVID-19. Deri më tash, 150 pacientë atje kanë humbur jetën.

Në aspektin global janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

08:42 19.3.2020

Banka Qendrore Evropiane ndan 750 miliardë euro për të luftuar koronavirusin

Banka Qendrore Evropiane aktivizoi një paketë të ndihmës, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit.

Me këto mjete do të paguhen borxhet e qeverive dhe kompanive në vendet e Eurozonës.

Shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha se ky institucion do të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur euron në “këto kohë të jashtëzakonshme”.

Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa tani është epiqendër e shpërthimit të koronavirusit, i cili për herë të parë është shfaqur në Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Mbi 8,800 njerëz në botë kanë humbur jetën si pasojë e tij.

Shumë vende janë izoluar, duke mbyllur shkollat, bizneset jothelbësore dhe kufijtë.

Njoftimi i Lagardes vjen pasi këshilli drejtues i Bankës Qendrore Evropiane zhvilloi bisedime urgjente, përmes telefonit, të mërkurën vonë.

Në ditët e fundit, Banka Qendrore Evropiane është kritikuar për mungesë veprimesh të mjaftueshme për të mbështetur Eurozonën, në krahasim me hapat që i kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara.

Të dielën, Rezervat Federale në SHBA kanë ulur normat e interesit gati në zero dhe kanë aktivizuar një program stimulues në vlerë prej 700 miliardë dollarësh.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG