A mund t’ua përkeqësojë ibuprofen sëmundjen njerëzve me COVID-19?
Organizata Botërore e Shëndetësisë sqaron:
"Tani për tani, bazuar në informacionet që ka në dispozicion, OBSH-ja nuk rekomandon kundër përdorimit të ibuprofenit.
Ne jemi duke u konsultuar me mjekë që trajtojnë pacientë me COVID-19 dhe nuk jemi në dijeni për raportet e efekteve negative të ibuprofenit, përveç efekteve të ditura anësore, që e kufizojnë përdorimin e tij te njerëz të caktuar.
OBSH-ja nuk është në dijeni për të dhëna të publikuara klinike, ose të bazuara në popullsi, në lidhje me këtë çështje".
Rënie e rasteve të brendshme me koronavirus në vendet aziatike
Koreja e Jugut, Kina dhe Singapori janë në mesin e vendeve aziatike që po përballen me valën e dytë të koronavirusit, të shkaktuar nga njerëz që e importojnë atë nga jashtë.
Kina, ku koronavirusi është paraqitur për herë të parë, ka konfirmuar se të mërkurën nuk ka pasur asnjë rast të ri të brendshëm – për herë të parë prejse ka nisur shpërthimi i sëmundjes në dhjetor të vitit të kaluar.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka thënë po ashtu se nuk ka asnjë rast të infektimit në Vuhan, qytetin që ka qenë epiqendër e shpërthimit.
Megjithatë, autoritetet kineze kanë raportuar për 34 raste të reja në mesin e njerëzve të kthyer së voni në Kinë.
Singapori po ashtu ka raportuar për 47 raste të reja, prej të cilave 33 janë importuar.
Në Korenë e Jugut ka pasur 152 raste të reja të enjten, edhe pse nuk është e qartë se sa prej tyre janë importuar.
Në Japoni, ndërkaq, janë raportuar vetëm tre raste të reja të mërkurën.
Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, epiqendër e koronavirusit tani është Evropa.
Vendet e goditura më së keqi në këtë kontinent janë Italia dhe Spanja.
Në total, në gjithë botën janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur.
Shtatë raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e V.
Numri i të prekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 42, pasi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka njoftuar për shtatë raste të reja.
Nga 38 personat e testuar, pozitive kanë dalë katër raste nga Shkupi dhe tre nga Dibra.
“Deri më tani janë regjistruar gjithsej shtatë raste të reja me koronavirus. Numri i personave të infektuar me virus tani ka arritur në 42. Gjendja e të gjithë pacientëve është e qëndrueshme. Dy nga pacientët kanë pneumoni të lehtë”, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Aktualisht janë duke u testuar edhe 22 persona të tjerë dhe rezultatet pritet të dalin gjatë ditës së sotme.
Italia do ta zgjerojë izolimin kundër koronavirusit
Italia, vendi evropian i goditur më së rëndi nga pandemia e koronavirusit, tha se do t’i zgjerojë masat e izolimit, të ndërmarra më 10 mars, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të viktimave.
“Masat e ndërmarra duhet të zgjerohen përtej afatit fillestar”, tha kryeministri Giuseppe Conte për gazetën italiane Corriere della Sera, por pa dhënë më shumë detaje.
Masat aktuale u lejojnë italianëve të udhëtojnë vetëm për punë, për arsye shëndetësore ose emergjenca dhe janë në fuqi deri më 3 prill.
Shumica e dyqaneve, përveç ato që shesin ushqime dhe barna, duhet të mbeten të mbyllura deri më 25 mars.
Numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi është duke iu afruar shifrave në Kinë – vendin ku ka shpërthyer sëmundja vitin e kaluar.
Deri sot, Italia ka mbi 2,900 persona të vdekur, ndërsa Kina - popullsia e së cilës është 23 herë më e madhe se e Italisë - ka raportuar për rreth 3,200 të vdekur.
Vetëm të mërkurën, në Itali kanë vdekur 475 persona - shifër kjo e cila është karakterizuar si rekord brenda një dite.