Le ta rikujtojmë edhe një herë se si mbrojmë veten kundër koronavirusit.
Trump: Papunësia 20 për qind, skenari më i keq
Presidenti amerikan, Donald Trump ka hedhur poshtë paralajmërimet se shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara mund të arrijë deri në 20 për qind për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ai ka thënë se shifrat “nuk janë as afër” asaj që është përmendur.
Teksa ritmi i ekonomisë amerikane po ndalet, pasi shumë biznese po detyrohen të mbyllen, Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin është raportuar të ketë paralajmëruar senatorët republikanë për shkallë të papunësisë deri në 20 për qind, apo dy herë më shumë në krahasim me vitin 2008, kur kishte ekzistuar krizë globale ekonomike.
Trump ka thënë se ai nuk është pajtuar me këto shifra, duke i konsideruar “totali absolut i skenarit më të keq”.
“Nuk jemi as afër”, u ka thënë ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Administrata e tij është duke kërkuar miratimin nga Kongresi të një pakete emergjente në vlerë të 1.3 trilionë dollarëve, për të lehtësuar dëmet ekonomike, të shkaktuara nga koronavirusi.
Koronavirusi i ri ka prekur të paktën 6,496 persona në të gjitha 50 shtetet amerikane, derisa numri i të vdekurve ka arritur në 114.
Prishtina në periudhën e koronavirusit
Dita e mërkurë gati përfundoi, por le ta shohim si ishte atmosfera gjatë ditës.
Merkel: Luftimi i koronavirusit kërkon solidaritet të kohës së luftës
Kancelarja gjermane, Angela Merkel u ka bërë thirrje të gjithë gjermanëve që të ndihmojnë në luftimin e shpërndarjes së koronavirusit, duke respektuar masat e zvogëlimit të kontaktit me njerëz, në mënyrë që të shmanget bartja e virusit.
“Është serioze. Trajtojeni me seriozitet”, ka thënë Merkel në një fjalim televiziv.
“Prej ribashkimit të Gjermanisë, në fakt prej Luftës së Dytë Botërore, nuk ka pasur sfidë për shtetin tonë, në të cilën ruajtja e solidaritetit ka qenë kaq e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Qeveria e saj ka këshilluar të 16 rajonet shtetërore që të mbyllin shkollat dhe hapësirat për kujdes ditor deri në Festën e Pashkëve.
Dyqanet, duke përjashtuar ato me produkte ushqimore dhe barnatoret, janë mbyllur po ashtu.
Në fjalimin e saj, Merkel ka thënë se është e vetëdijshme që kufizimet në lirinë e lëvizjes janë vështirë të pranueshme për shumë gjermanë, sidomos pas së kaluarës me udhëheësi komuniste në pjesën lindore të murit të dikurshëm që ka ndarë shtetin.
Mirëpo ajo ka insistuar që secili qytetar duhet ta kryejë detyrimin që ka duke parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Deri më tani në Gjermani është raportuar për 12,327 persona të prekur me këtë virus, derisa janë regjistruar 28 persona të vdekur.