Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:23 18.3.2020

Itali: Rritet shifra e të vdekurve pë​r 19 për qind

Numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi i ri ka arritur në 2,978, duke shënuar rritje për 475 në 24 orët e fundit.

Kjo shifër njëherësh shënon rritje për 19 për qind të numrit të të vdekurve në këtë shtet, apo shifrën më të madhe brenda një dite, prej kur është raportuar për personat e parë të prekur në këtë shtet në muajin shkurt.

Italia, që është prekur më së keqi nga koronavirusi i ri, ka regjistruar 35,713 persona të prekur me këtë sëmundje, ka raportuar Agjencia për Mbrojtje Civile, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Nga personat e prekur, 4,025 janë shëruar.

18:39 18.3.2020

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme si masë për përballje me koronavirusin.

“Vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e kam shpall me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe përballje dhe evitimin e pasojave nga koronavirusi. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë. Para skadimit të afatit pres që qeveria të më dorëzoj një plan të detajuar lidhur me efektin e masave që janë ndërmarrë dhe me propozim nëse ka nevojë për vazhdimin edhe për 30 ditë të tjerë apo heqjen e masës”, ka deklaruar Pendarovski.

“Marrja e këtij vendimi tregon se sa e ndërlikuar është situata dhe sa është rreziku për të gjithë ne. Nga e mërkura pushteti ekzekutiv do të ketë kompetenca më të madha dhe do të mund t’i shfrytëzojë të gjitha resurset shtetërore për përballje sa më efikase me epideminë. Qeveria do të mund të merr vendime me fuqi ligjore me qëllim vendosjen e kufizimeve më të mëdha në lëvizjen e njerëzve dhe në veçanti të siguroj mjete në mbështetje të ekonomisë”, ka theksuar ai.

Presidenti maqedonas tha se liderët e të gjitha partive i kanë dhënë mbështetje vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Qeveria teknike me përfshirjen edhe të opozitës do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen.

Presidenti tha se zgjedhjet do të shtyhen deri në krijimin e kushteve për mbajtjen e tyre në kushte normale.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut është raportuar për 31 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

18:51 18.3.2020

Britania mbyll shkollat

Të gjitha shkollat në Britani do të mbyllen nga e premtja “deri në njoftimin e radhës”, ka thënë Ministri britanik i Edukimit, Gavin Williamson.

Ndërkohë kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se qeveria është duke shqyrtuar secilën mundësi, kur është pyetur nëse do të merren masa më të ashpra për ta izoluar Londrën, pas përhapjes së koronavirusit të ri.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimet.

Deri më tani 104 persona kanë vdekur nga ky virus në Britani derisa mbi 2,642 të tjerë janë infektuar me këtë sëmundje.

19:06 18.3.2020

Gjashtë raste të reja me koronavirus në Serbi

Ministria e Shëndetësisë në Serbi ka njoftuar për gjashtë raste të reja me koronavirus, duke e dërguar në 89 numrin e të infektuarve me këtë sëmundje.

Nga rastet e reja, tre persona është thënë të jenë dërguar për izolim nëpër shtëpi, derisa tre të tjerë janë shtruar në spital, ndonëse situata e tyre është e qëndrueshme.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur ditë më parë gjendje të jashtëzakonshme.

“Do të mbyllemi për të shpëtuar jetët tona, për të shpëtuar prindërit tanë dhe pleqtë tanë”, pati thënë ai.

Ai ka thënë se nga 16 marsi, ushtria do t’i ruajë spitalet shtetërore, ndërsa policia do t’i monitorojë ata që janë të karantinuar ose në izolim, për 14 ose 28 ditë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG