OBSH i kërkon Azisë Juglindore “masa agresive” kundër koronavirusit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kërkoi nga Azia Juglindore të ndërmarrë “masa agresive” për të luftuar shpërthimin në rritje të koronavirusit.
Apeli vjen derisa numri i të infektuarve në botë vazhdon të rritet, duke i detyruar vendet të mbyllin kufijtë dhe shkollat.
Rajoni i Azisë Juglindore i OBSH-së përfshin 11 shtete dhe gati të gjitha prej tyre kanë regjistruar raste me koronavirus.
Ato përfshijnë: Malajzinë, Indonezinë, Shri Lankën, Tajlandën, Bangladeshin dhe Korenë e Veriut.
Poonam Khetrapal Singh, drejtor rajonal i OBSH-së për Azinë Juglindore, tha se “gjithnjë e më shumë raste të transmetimit të koronavirusit janë duke u konfirmuar”.
“Qartazi, na duhet të bëjmë më shumë dhe urgjentisht”, tha ai.
Malajazia ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në rajon – mbi 670 raste.
Koronavirusi godet rëndë ekonominë
Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit, e gjithë bota pritet të përballet me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik.
Edhe në Kosovë, pasojat në ekonomi, sipas ekspertëve të fushës, pritet të jenë të mëdha.
Rritja ekonomike, thonë ata, do të jetë shumë më e ulët krahasuar me parashikimet e bëra nga institucionet e vendit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Austriakët tërheqin deri në 600 milionë euro në ditë para të gatshme
Për shkak të pandemisë që ka shkaktuar koronavirusi, në Austri janë rritur kërkesat për para të gatshme.
Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, Robert Holzmann, tha se austriakët tërhqin deri në 600 milionë euro në ditë para të gatshme.
Holzmann tha se rreth 9,000 bankomate në gjithë Austrinë mbushen çdo ditë dhe nëse në një bankomat mungojnë paratë, “ai do të mbushet ditën pasuese”.
Megjithatë, rekomandimet janë që të mos përdoren paratë e gatshme dhe që më shumë të paguhet me kartela, me qëllim zvogëlimin e rrezikut të infektimit me koronavirus.
Vetizolohet kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se është vetizoluar, pasi ditë më parë ka qenë në një ambient ku ndodhej edhe një person, që më pas ka rezultuar pozitiv në testet për koronavirus.
“Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë, nga mbrëmja, jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokollit shëndetësor”, ka thënë Haziri.
“Po ashtu u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’iu nënshtrohen testeve dhe vetizolimit”, ka thënë Haziri, për të shtuar se detyrën e tij do ta ushtrojë nënkryetari i Komunës së Gjilanit.
Në Kosovë, deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.