Pesëmbëdhjetë ministra polakë në karantinë
Pesëmbëdhjetë ministra të Qeverisë së Polonisë janë në karantinë, pas lajmit se ministri i Mjedisit, Michal Wos, 29 vjeç, ka dalë pozitiv në testet për koronavirus, tha shefi i stafit të kryeministrit polak, Michal Dworczyk.
Wos ka njoftuar të hënën mbrëma se është i infektuar me koronavirus.
Ai ka thënë se ndjehet mirë.
Takimi i fundit i Qeverisë polake është zhvilluar më 10 mars.
Sipas Dworczykut, nëntë nga 24 ministrat kanë munguar në atë takim, përfshirë kryeministrin Mateusz Morawiecki dhe ministrin e Shëndetësisë, Lukasz Szumowski.
Ministrat e mbetur janë testuar të hënën mbrëma dhe do të jenë në karantinë derisa të dalin rezultatet.
Polonia ka 177 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa katër pacientë kanë humbur jetën.
Suedia mbyll shkollat e mesme dhe universitetet
Qeveria e Suedisë këshilloi që të gjitha shkollat e mesme dhe universitetet të mbyllen nga e mërkura, ndërsa kërkoi nga mësimdhënësit të aranzhojnë mësime online.
Ky veprim vjen si masë kundër përhapjes së koronavirusit.
Shkollat fillore nuk do të mbyllen ende, por kryeministri Stefan Lofven tha se do ta vëzhgojë situatën.
Suedia nuk ka marrë ende vendim për të mbyllur baret dhe restorantet siç kanë bërë disa vende të tjera të Evropës.
Aktualisht, Suedia ka mbi 1,120 njerëz të prekur me koronavirus.
Përgjigjet e OBSH-së në disa nga pyetjet më të shpeshta
Nga 16 të prekur me koronavirus në Kosovë, 10 në hospitalizim
Dhjetë pacientë të prekur me koronavirus në Kosovë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës, ndërsa gjashtë të tjerë janë duke u trajtuar në shtëpi.
Valbon Krasniqi, infektolog, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditës së martë pritet që së paku edhe dy pacientë të lirohen në shtëpi për trajtim të mëtutjeshëm, pasi gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Gjashtë pacientë të prekur me COVID-19 janë nëpër shtëpitë e tyre në vetizolim. Gjendja shëndetësore e të gjithëve është e mirë. Vetëm një pacient 77-vjeçar aktualisht është nën kontroll më të rreptë dhe ka nevojë për oksigjen, por gjendja e tij është stabile”, tha Krasniqi.
Të martën në Kosovë është konfirmuar edhe një rast me koronavirusin e ri, duke e çuar në në 16 numrin e të prekurve.