Ukraina ndal trenat, fluturimet dhe autobusët
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Qeveria e Ukrainës i ka ndaluar të gjitha shërbimet ndërurbane me trena, avionë dhe autobusë.
Shërbimet e metrove në tri qytete, përfshirë Kievin, janë ndalur po ashtu.
Shërbimet e transportit në qytete, përfshirë autobusët, tramvajet dhe taksitë, do të lejohen të marrin nga dhjetë pasagjerë.
Këto masa do të jenë në fuqi nga 18 marsi deri më 3 prill.
Nga sot, Qeveria e Ukrainës i ka ndaluar edhe tubimet me më shumë se dhjetë njerëz, ndërsa ka urdhëruar mbylljen e restoranteve, qendrave tregtare dhe ndërtesave të tjera të mëdha publike.
Ukraina ka raportuar shtatë raste me koronavirus.
Irani liron përkohësisht 85,000 të burgosur
Numri i të burgosurve të liruar përkohësisht në Iran – vendin që po lufton me një shpërthim të madh të koronavirusit – ka arritur në 85,000, tha zëdhënësi i gjyqësorit.
“Deri më tash janë liruar 85,000 të burgosur. Edhe në burgje kemi marrë masa paraprake për të përballuar shpërthimin”, tha Gholamhossein Esmaili për agjencinë e lajmeve Reuters.
Në mesin e të liruarve ka edhe të burgosur politikë.
Esmaili nuk tha se kur do të rikthehen në burg të liruarit.
Irani ka raportuar për 135 persona të vdekur nga koronavirusi gjatë ditës së kaluar.
Në total, 988 pacientë kanë vdekur dhe gati 15, 000 të tjerë janë të infektuar.
Irani ka numrin më të madh të rasteve pas Kinës dhe Italisë.
Arrin në 26 numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është rritur në 26, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përmes një postimi në Facebook.
“Sot në mëngjes janë testuar 10 persona. Testet e tre personave janë pozitive. Ata më parë janë testuar në klinikën private ‘Zhan Mitrev’ dhe Instituti i Shëndetit publik ka bërë teste kontrolluese, me çka konfirmohet rezultati paraprak. Gjendja e të gjithë pacientëve është stabile”, ka shkruar ministri i Shëndetësisë, Filipçe.
Për më shumë informacione nga Maqedonia e Veriut, lexoni këtu.
Gjendje e fatkeqësive natyrore në Bosnje
Këshilli i Ministrave i Bosnje dhe Hercegovinës shpalli gjendje të fatkeqësive natyrore dhe të tjera në këtë vend, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
“Jemi në fillim të betejës kundër koronavirusit. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore”, tha Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave.
Një trup koordinues për mbrojtje dhe shpëtim është përcaktuar gjithashtu dhe ai do të drejtohet nga Fahrudin Radonçiq, ministër i Sigurisë në Bosnje.
Trupi koordinues është përgjegjës për koordinimin e të gjitha aktiviteteve me të gjitha nivelet e qeverisjes në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në këtë vend deri më tash janë 26 njerëz të infektuar me koronavirus.