Në Maqedoninë e V. mbyllen kufijtë dhe aeroporti në Shkup
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për mbylljen e vendkalimeve kufitare dhe të aeroportit ndërkombëtar në Shkup, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Vendkalimet kufitare mbyllen për kalimin e shtetasve të huaj, udhëtareve dhe automjeteve. Përjashtim bëjnë automjetet e mallrave, përfaqësuesit diplomatikë dhe persona të tjerë, për të cilët ka interes të veçantë shtetëror ose ekonomik”, tha ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe .
Ai tha se kalimi kufitar mbyllet edhe në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, por jo edhe për fluturimet shtetërore, ushtarake, të mallrave, humanitare dhe mjekësore.
Për më shumë, lexoni këtu.
Dyqanet ushqimore në Kosovë do të punojnë me orar të shkurtuar
Shoqata e Rrjetit të Shitësve me Pakicë në Kosovë ka bërë të ditur se dyqanet e produkteve ushqimore, duke filluar nga data 17 mars, do të punojnë me orar 12-orësh.
Ky veprim merret si masë për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Orari i dyqaneve me pakicë, sipas Rrjetit të Shitësve me Pakicë, do të jetë prej orës 8:00 deri në ora 20:00.
“Vendimi ka për qëllim kujdesin e shtuar për stafin e pikave të shitjes, duke shkurtuar orarin e tyre të punës dhe lehtësimin e organizimit të transportit për ta”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Në Kosovë, disa dyqane ushqimore punojnë deri në mesnatë, disa të tjera edhe 24 orë.
Numri i njerëzve të prekur me koronavirus në Kosovë ka arritur në 16.
Në Kosovë ndërpriten kimioterapia dhe rrezatimi
Klinika e Onkologjisë i është bashkuar vendimit të menaxhmentit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për të pezulluar shërbimet ambulantore për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Ilir Kurtishi, drejtor i këtij instituti, tha për Radion Evropa e Lirë tha se po rishikohet mundësia që gjatë kësaj jave të rinisë dhënia e kimioterapisë dhe rrezatimit.
“E kemi ndërprerë për shumë arsye. Së pari jemi bashkuar me vendimin e menaxhmentit që të mos ofrojmë shërbime ambulantore, e që kimioterapia hyn në këtë kategori. Tjetra është ruajtja e shëndetit të personave të prekur me kancer, pasi të tillë që marrin terapi ka shumë dhe (ky) është vend potencial për shpërndarje të virusit, duke e marrë parasysh edhe imunitetin e kësaj kategorie”, tha Kurtishi.
Ai shtoi se shtyrja e terapisë nuk përbën problem për gjendjen shëndetësore të pacientëve.
Kurtishi tha se hapësirat e klinikës do të dezinfektohen.
Udhëheqësia e QKUK-së ka marë vendim të hënën për pezullimin e operacioneve jo-emergjente, shërbimeve ambulantore dhe shërbimeve tjera terapeutike, për t’u përballur me situatën e krijuar me koronavirus.
Thaçi i kërkon FSK-së të mobilizohet për koronavirusin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Ramën, kërkoi që FSK-ja të jetë e mobilizuar dhe të rrisë deri në maksimum nivelin e gatishmërisë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
FSK-ja të ndihmojë në parandalimin, përballjen dhe tejkalimin e krizës, tha Thaçi, citon një komunikatë për media e lëshuar nga zyra e tij.
Gjenerali Rama tha se FSK-ja është në gjendje gatishmërie dhe se ka kapacitetet që të përballet me çfarëdo nevoje.
“FSK-ja është e gatshme të veprojë në çdo kohë, në çdo pjesë të Kosovës”, citohet të ketë thënë Rama.
Mobilizimi i FSK-së është hapi i fundit para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti i Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatë.
Numri i njerëzve të prekur me koronavirus në Kosovë ka arritur në 16.
Qeveria ka shpallur gjendje emergjence për shëndetin publik.