Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut nuk është regjistruar asnjë rast i ri
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë rast me infeksion të virusit Sars-Cov-2. Megjithatë ato u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet, dhe të mos dalin jashtë shtëpisë pa nevojë, ndërkohë që vazhdojnë të mbeten të mbyllura institucionet arsimore, kafiteritë dhe qendrat tregtare.
Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar 18 raste me koronavirusin e ri.
BE: Nuk ndalet eksporti i pajisjeve mjekësore në Ballkanin Perëndimor
Vendet anëtare të BE-së do të vendosin vetë nëse do të eksportojnë pajisje mjekësore në vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
"Eksportet mund të autorizohen dhe pajisjet mund të eksportohen në atë rajon", thotë Mamer.
Sipas tij varet nga vendet anëtare të BE-së që të vendosin për eksportet e mundshme, kështu që zyrtarët e Komisionit Evropian nuk duan ta quajnë vendimin "ndalime të eksportit".
Më gjërësisht lexoni KËTU
Portugalia ka mbyllur kufijtë e saj më Spanjën, si masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit të ri. Në foto është sheshi kryesor i kryeqytetit, Lisbonë.
Parisi mbyll parqet
Parisi do të mbyllë parqet deri në njoftimin e mëtejshëm, në mënyrë që të zvogëlojë rrezikun e infeksioneve nga koronavirusi, tha kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo.
Hidalgo tha se kishte ende shumë njerëz në parqet e qytetit, megjithë rekomandimet e qeverisë për distancimin shoqëror pasi infeksionet me koronavirus po rriten shpejt.
"Qeveria ka njoftuar masa të reja për të kufizuar infeksionet e reja duke kufizuar sa më shumë kontaktin midis njerëzve. Për të forcuar ndikimin e këtyre masave, parqet dhe kopshtet në Paris do të mbyllen në orët e ardhshme dhe nuk do të rihapen nesër", tha Hidalgo.