Edhe iranianët me këngë kundër koronavirusit
Pas videove të shumta të italianëve duke kënduar në shenjë solidariteti me të prekurit nga koronavirusi, edhe iranianët kanë bërë një gjë të tillë.
Në mediat sociale janë shfaqur video si kjo:
Irani është vendi i tretë i goditur më së keqi nga koronavirusi, pas Kinës dhe Italisë.
Aktualisht, në Iran janë 13,938 njerëz të infektuar, ndërsa 724 pacientë kanë humbur jetën.
Mbyllet për vizitorë Ambasada e Zvicrës në Kosovë
Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka njoftuar se ka anuluar terminët për viza dhe se do të jetë e mbyllur për vizitorë nga e hëna.
Këto veprime thuhet të jenë marrë si masa preventive kundër koronavirusit.
“Për shkak të situatës aktuale dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës, Ambasada e Zvicrës, përfshirë sektorin e vizave dhe TLScontact-in, do të jetë e mbyllur për vizitorë nga 16 marsi, 2020, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Zvicrës.
Të gjithë terminët e caktuar për viza dhe bashkim familjar janë anuluar deri në një vendim tjetër.
Kjo ambasadë që ofron shërbime edhe për disa shtete të tjera evropiane, i ka sugjeruar qytetarët që të kontaktojnë vetëm në raste emergjente përmes postës elektronike.
Anulimin e terminëve për viza e ka bërë edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Rastet globale i tejkalojnë ato brenda Kinës
Numri i njerëzve të infektuar me koronavirus globalisht ëshë më i madh se në Kinë.
Sipas të dhënave që siguron Universiteti Johns Hopkins, mbi 87,000 raste janë regjistruar jashtë Kinës – vendit origjinë të koronavirusit.
Autoritetet kineze thonë se kanë 81,020 raste.
Numri i të vdekurve jashtë Kinës është rritur në 3,241, ndërsa në Kinë është 3,099.
Më shumë se 1,400 qytetarë kanë telefonuar IKSHPK-në
Më shumë se 1,400 persona i janë drejtuar me thirrje telefonike Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për të kërkuar ndihmë, në lidhje me shqetësimet e tyre rreth koronavirusit.
Ky institut ka instaluar numrin e telefonit 038 200 80 800, përmes së cilit të gjithë qytetarët që kanë shqetësime rreth koronavirusit dhe infeksionit me sëmundjen COVID19, mund të marrin informata nga profesionistët shëndetësorë.
Era Pireva, zëdhënëse në këtë institut, i tha Radios Evropa e Lirë se ky numër funksionon vazhdimisht dhe se deri më tani mbi 1,400 qytetarë kanë kërkuar ndihmë.
Ata, sipas Pirevës, kanë marrë informata se ku duhet të drejtohen në rast të paraqitjes së shenjave klinike të sëmundjes COVID19.