Rritet numri i të infektuarve në Shqipëri
Në Shqipëri ka arritur në 51 numri i personave të prekur me koronavirus.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendësministrja shqiptare, Mira Rakacolli, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.
“Në 24 orët e fundit janë testuar gjithsej 31 raste personash të dyshuar, të cilët janë qytetarë dhe personel shëndetësor. Nga këta janë konfirmuar pozitivë 9 raste”, bëri të ditur Rakacolli.
Detajet e tjera mund t’i gjeni këtu.
Podujevë: Dezinfektohet zona ku u evidentua rasti i parë me koronavirus
Autoritetet komunale në qytetin e Podujevës kanë dezinfektuar fshatin Dumnicë e Poshtme, nga i cili është personi i parë i prekur me koronavirus në këtë komunë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se janë marrë të gjitha masat për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të fshatit Dumnicë e Poshtme, i vendosur në karantinë me vendim të Qeverisë së Kosovës.
“Me të marrë informatën se një qytetar është diagnostikuar me këtë virus, e kemi thirrur shtabin dhe menjëherë i kemi marrë masat. E kemi dërguar një ekip mjekësor dhe një ekip të policisë, e po ashtu një ekip nga kompania për dezinfektim, e cila ka bërë dezinfektimin e lagjes dhe të familjeve të personit të prekur nga koronavirusi”, tha Rudari.
Ai tha se u janë ofruar ndihmë dhe konsulta mjekësore të gjithë personave që mund të kenë pasur kontakt me personin e infektuar.
Bahrejni regjistron viktimën e parë nga koronavirusi
Një shtetase 65 vjeçe e Bahrejnit, me probleme të mëparshme shëndetësore, është bërë personi i parë që ka humbur jetën nga koronavirusi në këtë vend.
Gruaja është vendosur në izolim prejse është kthyer nga Irani, muajin e kaluar, tha përmes një deklarate Ministria e Shëndetësisë e Bahrejnit.
Bahrejni ka raportuar 214 raste me koronavirus.
Shumica prej tyre janë të lidhura me udhëtimet në Iran, ku mbi 13,900 njerëz janë të infektuar dhe 724 të tjerë kanë vdekur.
Malisheva po mundohet t’i identifikojë personat që kanë ardhur nga Italia
Komuna e Malishevës, deri mw tani, ka katër persona që kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus.
Kjo komunë është në karantinë që nga identifikimi i rastit të parë dhe raportohet se ka numrin më të madh të mërgimtarëve që, ditëve të fundit, kanë ardhur nga Italia në Kosovë.
Mirëpo, evidentimi i tyre është i pamundur për autoritetet komunale atje.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, tha se është i madh numri i mërgimtarëve nga Italia që, ditëve të fundit, kanë ardhur në Malishevë.
Begaj tha se identifikimi i tyre është një proces i vështirë, pasi komuna aktualisht ka në dispozicion vetëm të dhënat kufitare për personat që janë futur në Kosovë përmes pikës kufitare në Vermicë.
Detajet lexoni këtu.