Brenda ditës, mbi 170 raste të reja me koronavirus në Holandë
Ministria e Shëndetësisë e Holandës tha se ka regjistruar 176 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit dhe tetë vdekje të lidhura me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Ministria tha se numri total i të infektuarve në gjithë Holandën aktualisht qëndron në 1,135.
Vendet e prekura më së keqi nga koronavirusi në Evropë janë Italia dhe Spanja.
Pothuajse të gjitha shtetet kanë ndërmarrë masa të ashpra për të penguar përhapjen, përfshirë: gjendje të jashtëzakonshme, mbyllje kufijsh e të tjera.
Asnjë rast i ri me koronavirus në Maqedoni të Veriut
Maqedonia e Veriut të dielën nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me koronavirus.
Shtatë personat që janë testuar për koronavirusin kanë rezultuar negativë nga analizat e bëra nga laboratori i Virusologjisë dhe Diagnostikës Molekulare.
Bëhej fjalë për shtetas nga disa qytete, të cilët para disa ditësh ishin kthyer nga Zvicra, Austria dhe Gjermania.
Në mesin e personave që janë testuar gjendeshin edhe dy gra shtatzëna nga Dibra.
Rekord i ri viktimash nga koronavirusi në Itali brenda një dite
Italia raportoi të dielën edhe për 368 vdekje nga koronavirusi – një rekord ky i ri viktimash brenda një dite.
Prej tyre, 252 vdekje janë shënuar në Lombardi, rajonin e goditur më së keqi në Itali.
Në mbarë vendin, numri total i të vdekurve është mbi 1,800.
E gjithë Italia, tash e sa ditë, është në karantinë të përgjithshme.
Lexoni edhe këtë:
Pse Koreja e Jugut është më e suksesshme se Italia në shtypjen e koronavirusit?
Holanda mbyll shkollat
Ministri i Shëndetësisë i Holandës, Bruno Bruins, tha se shkollat në këtë vend do të mbyllen nga e hëna deri më 6 prill, si masë parandaluese kundër koronavirusit.
Baret, kafenetë dhe klubet sportive do të mbyllen qysh sonte.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, do t’i drejtohet kombit të hënën.
Ministria e Shëndetësisë e Holandës ka raportuar për 176 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit dhe për tetë persona të vdekur nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend aktualisht është 1,135.
Mbylljen e shkollave e kanë bërë edhe vende të tjera në Evropë, përfshirë Kosovën.