Shtetrrethim në Porto Riko
Territori amerikan i Porto Rikos ka vendosur shtetrrethim për të penguar përhapjen e koronavirusit.
“Duhet të ndërmarrim masa të fuqishme, ashtu si edhe vendet e tjera”, tha guvernatori Wanda Vazquez Garced.
Përjashtime nga shtetrrethimi bëjnë njerëzit që kanë leje për të punuar.
Shtetrrethimi, që nis të dielën, do të jetë në fuqi nga ora 21:00 deri në 05:00, sipas kohës lokale.
Bizneset, përveç barnatoreve, shërbimeve shëndetësore, dyqaneve ushqimore dhe bankave, po ashtu pritet të mbyllen pjesërisht, raportojnë mediat lokale.
Porto Riko ka tre raste të konfirmuara me koronavirus.
Edhe katër raste me koronavirus në Kosovë
Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në nëntë, pasi të dielën u regjistruan edhe katër raste të reja.
Këtë e konfirmoi ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.
Në një postim në Facebook, ai tha se tri nga këto raste lidhen me një paciente të diagnostikuar me koronavirus më 14 mars.
“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga kryeministri Albin Kurti, që t'i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”, tha Vitia.
Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus të premten.
BE-ja i bashkon burimet shëndetësore të secilit vend
Bashkimi Evropian do t’i bashkojë burimet e 27 vendeve anëtare për të luftuar koronavirusin dhe për të mbrojtur shërbimet e shëndetit kombëtar në gjithë kontinentin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se qëllim është të rritet prodhimi i pajisjeve mbrojtëse, si maska dhe kostume, dhe të parandalohet eksportimi jashtë BE-së, pa autorizimin e qeverive të bllokut.
Nën këto masa, pajisjet do të shpërndahen brenda vendeve të BE-së dhe jo secili vend t’i prodhojë ato për vete.
Gjendje e jashtëzakonshme në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka vendosur që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në Serbi, si masë për luftimin e përhapjes së koronavirusit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, tha Vuçiq.
Në Serbi, aktualisht janë 48 persona të infektuar me koronavirus.