Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:39 15.3.2020

Hungaria regjistron viktimën e parë nga koronavirusi

Një burrë 75 vjeç është personi i parë që ka vdekur nga koronavirusi në Hungari.

Autoritetet thanë se ai ka vdekur pasi është dërguar në spital me koronavirus dhe pneumoni.

Hungaria ka aktualisht 32 raste të raportuara me koronavirus, ndërsa 159 njerëz janë në karantinë.

Në përgjigje të shpërthimit të sëmundjes, qeveria ka mbyllur kufijtë tokësorë me Austrinë dhe Slloveninë, i ka mbyllur të gjitha shkollat dhe ka vendosur kufizime në tubimet publike.

16:27 15.3.2020

Gjermania do të mbyllë disa kufij

Gjermania do të mbyllë pjesën më të madhe të kufijve me Francën, Zvicrën dhe Austrinë nga e hëna, për të penguar përhapjen e koronavirusit, raporton BBC, duke u thirrur në burimet qeveritare.

Gjermania ka regjistruar së paku nëntë vdekje nga koronavirusi dhe 4,585 raste të infeksionit.

Berlin, Gjermani
Berlin, Gjermani

Vendet e tjera të Bashkimit Evropian janë duke ndërmarrë po ashtu masa radikale.

Austria, nga e hëna, do të ndalojë çdo tubim të më shumë se pesë vetëve.

Rumania pritet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Çekia, e cila tashmë i ka mbyllur kufijtë, pritet të futet në karantinë të përgjithshme.

Këto masa i pasojnë hapat e ngjashëm që kanë ndërmarrë Franca dhe Spanja të shtunën.

Spanja ka raportuar edhe për 97 viktima dhe 2,000 raste të reja në 24 orët e fundit.

Në total, ajo ka 288 njerëz të vdekur dhe 7,753 të infektuar nga koronavirusi.

16:43 15.3.2020

Në Shkup nxitojnë për rezerva ushqimore

Në Maqedoni të Veriut, deri më 14 mars, janë konfirmuar 18 raste me koronavirusin e ri.

Qeveria ka urdhëruar mbylljen e të gjitha lokaleve dhe qendrave tregtare si dhe ka mbyllur shkollat. T

ë vetmet dyqane që janë të hapura, janë ato ushqimore dhe farmacitë.

Radio Evropa e Lirë ju sjell disa fotografi të bëra më 15 mars në Shkup, ku shihen qytetarët duke blerë rezerva ushqimore, ndërsa disa rrugë janë krejtësisht të boshatisura.

16:52 15.3.2020

Sllovenia ndalon transportin publik

Transporti publik në gjithë Slloveninë do të ndalojë së funksionuari nga mesnata, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përmes një deklarate për media, Qeveria sllovene po ashtu tha se taksitë do të lejohen të marrin pasagjerë, vetëm nëse "kanë bërë dezinfektimin e duhur të pjesëve të automjetit, që janë në kontakt fizik me pasagjerin".

Sllovenia ka aktualisht 96 raste të konfirmuara me koronavirus.

Personeli mjekësor duke kontrolluar një pasagjer për koronavirus në vendkalimin kufitar me Italinë në Vrtojba, Slloveni, 11 mars, 2020.
Personeli mjekësor duke kontrolluar një pasagjer për koronavirus në vendkalimin kufitar me Italinë në Vrtojba, Slloveni, 11 mars, 2020.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG