Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:29 15.3.2020

KSHZ propozon shtyrjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë së Veriut i ka propozuar krerëve shtetërorë dhe drejtuesve të partive politike që të shtyjnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 prill, për shkak të situatës që është krijuar nga paraqitja e koronavirusit të ri.

Deri më tani, në këtë vend, 18 persona janë konfirmuar si të infektuar me koronavirus.

Anëtarët e KSHZ-së, theksuan se vetëm në komisionet zgjedhore janë më shumë se 35,000 njerëz që u duhet të komunikojnë personalisht me njëri tjetrin.

14:45 15.3.2020

Prishtinë: Operacionet mjekësore do të kryhen vetëm për rastet urgjente

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar në Kosovë ka ndërprerë gjitha operacionet që nuk janë urgjente dhe procedurat tjera terapeutike dhe diagnostike.

Pëmes një njoftimi, bëhet e ditur, se do të tratohen vetëm rastet urgjente.

Ky vendim, sipas këtij institucioni, është ndërmarrë për të siguruar mbrojtje dhe parandalim nga përhapja e koronavirusit të ri.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me koronavirus.

14:57 15.3.2020

IKSHPK: Trembëdhjetë raste të testuara kanë rezultuar negative

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar se nga 13 raste të testuara të shtunën mbrëma, që të gjitha kanë dalë negative në virusin SARS-COV 2.

Ndërkohë, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar pesë raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.

”Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetë-izolim shtëpiak”, thuhet në njoftim.

15:18 15.3.2020

Nike mbyll përkohësisht qindra dyqane

Nike do t’i mbyllë përkohësisht qindra dyqane në botë, nisur nga e hëna, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Të gjitha degët e saj në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Evropën Perëndimore dhe Zelandë të Re do të jenë të mbyllura deri më 27 mars, tha kompania e veshjeve sportive.

Nike ka gati 400 dyqane vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Kompania u tha mediave amerikane se punonjësit e saj do të paguhen plotësisht gjatë kësaj periudhe.

Ajo tha se dyqanet e saj në Korenë e Jugut, Japoni, pjesën më të madhe të Kinës dhe “shumë vende të tjera” do të mbeten hapur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG