Kosova me vetëm 95 respiratorë
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë gjithsej 58 respiratorë. Por, aktualisht, që të gjithë janë në shërbim të pacientëve të hospitalizuar. Në këtë institucion, janë edhe 15 respiratorë rezervë, të cilët mund të përdoren në rast nevoje për të sëmurët me koronavirusin e ri.
Ndërkaq në spitalet e përgjithshme në Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Vushtrri, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj, janë gjithsej 22 respiratorë, që mund të përdoren për pacientë në nevojë, thonë zyrtarët në QKUK.
Respiratorët përdoren për filtrimin e ajrit nga ndotësit te pacientët që janë të prekur nga sëmundjet e rënda.
Lexo më shumë KËTU
Raste të reja me koronavirus në Kroaci
Në Kroaci janë konfirmuar shtatë raste të reja me koronavirusin e ri.
"Shtatë të infektuarit nuk duket se kanë ndonjë simptomë të rëndë", tha Shtabi Kombëtar i Krizave në Zagreb, përmes një konference për media.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kroaci ka arritur në 46.
Çekia paralajmëron karantinë të përgjithshme
Kryeministri çek, Adrej Babis, tha se qeveria ka të ngjarë të deklarojë një karantinë për të gjithë vendin, si përpjekje për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Kabineti do të takohet të dielën pasdite.
"Jam i bindur se sot qeveria do ta marr këtë masë", tha ai në një intervistë në televizionin Prima, raporton Reuters.
Rritet numri i vdekjeve në Iran
Irani tha të dielën se në 24 orët e kaluara, koronavirusi i ri kishte vrarë 113 njerëz, duke rritur numrin e viktimave në 724.
Numri i të infektuarve kishte arritur në 13,938.
Shifrat e reja u njoftuan nga Alireza Vahabzadeh, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë në Iran.
Një mori zyrtarësh politikë, doktorë, komandantë të Gardës elitare Revolucionare dhe klerikë janë infektuar nga virusi.
Disa prej tyre, përfshirë një këshilltar të ministrit të Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, kanë vdekur, sipas mediave shtetërore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianush Jahanpur tha për televizionin shtetëror se 4,590 nga të infektuarit ishin shëruar, raporton Reutes.