SHBA-ja përfshin Britaninë në masën e ndalim-udhëtimit
Shtetet e Bashkuara do të përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës në masën e ndalim-udhëtimit nga Evropa drejt tokës amerikane.
Kjo masë e re do të nisë së zbatuari nga dita e hënë, ka thënë nën-presidenti amerikan, Mike Pence.
Vendimi paraprak i presidentit amerikan, Donald Trump për ndalim të udhëtimit për 26 vende të botës, është fuqizuar të shtunën.
Pence po ashtu ka njoftuar se secilit amerikan do t’i ofrohet mundësia e testimit falas për koronavirus.
Në të njëjtën konferencë për media, presidenti Trump ka thënë se ka kryer testet për këtë virus dhe pret rezultatet në 48 orët e ardhshme.
Deri më tani në SHBA është raportuar për 51 persona të vdekur dhe 2,488 të infektuar me këtë virus.
Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Evropa është epiqendra e koronavirusit të ri, që fillimisht ka shpërthyer në Kinë.
Edhe dy persona konfirmohen me koronavirus në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se edhe dy persona të tjerë janë konfirmuar me koronvirusin e ri.
Sipas ministrisë, një 42-vjeçar i infektuar ka qenë në kontakt me personin e parë, për të cilin është raportuar një ditë më parë, derisa e infektuara tjetër është një 37-vjeçare, shtetase e Kosovës, që ka arritur nga Italia në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më 1 mars.
“Vendqëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Të premten, Kosova konfirmoi dy rastet e para me koronavirus, një shtetas i Kosovës 77 vjeç dhe një 20-vjeçare nga Italia. Ndërkaq, të shtunën gjatë ditës, autoritetet njoftuan se edhe një 39-vjeçar ishte infektuar pas kontaktit me 77-vjeçarin nga Stublla e Vitisë.
Policia e Kosovës kërkon mbylljen e restoranteve në veri
Policia e Kosovës, në koordinim me punonjësit e inspektimit komunal, vizitoi të shtunën kafiteritë dhe restorantet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe gjithë pjesën veriore të Kosovës dhe kërkoi nga pronarët që të ndërpresin punën, në përputhje me urdhrin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtje nga koronavirusi.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, e konfirmoi këtë për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se paralajmërimi u është shpërndarë të gjithë pronarëve të objekteve ku mund të mblidhen njerëz.
“Pronarët e kuptuan këtë plotësisht dhe nuk kishte asnjë keqkuptim”, tha Hoti.
Ai shtoi se vetëdijesimi i vetë qytetarëve për t’i shmangur kontaktet me shumë njerëz është po ashtu i rëndësishëm.
Qeveria e Kosovës miratoi një sërë masash preventive të premten, pas regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë.
Për më shumë rreth tyre, lexoni këtu: Kosova me masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Siria insiston se nuk ka të prekur me koronavirus
Siria ka mbyllur shkollat dhe ka anuluar shumicën e ngjarjeve publike me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, ndonëse zyrtarët kanë thënë se shteti i shkatërruar nga lufta ende nuk është prekur nga kjo sëmundje.
Megjithatë, Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut, me bazë në Britani, ka thënë se mjekët sirianë kanë vërejtur persona të infektuar në të paktën tri provinca, mirëpo u është dhënë urdhër të heshtin.
Ministri i Edukimit, Imad al-Azab, ka mohuar këtë pretendim.
Ai ka thënë se “është e pamundshme” qe qeveria të fshehë raste.
Siria është një nga tri shtetet e Lindjes së Mesme që nuk ka raportuar për ndonjë person të infektuar me këtë virus, bashkë me Libinë dhe Jemenin.
Të trija këto vende përballen me sfida të mëdha për luftim të virusit, pasi sistemet shëndetësore u janë shkatërruar si pasojë e luftërave.