Dezinfektohet ndërtesa e Komunës së Prishtinës
Në videon më poshtë shihni si janë dezinfektuar të shtunën hapësirat në ndërtesën e Komunës së Prishtinës.
Kjo është një nga masat që kanë marrë autoritetet në Kosovë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, teksa Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar rastet e para të personave të infektuar me Covid-19.
Në Itali, miliona njerëz janë në karantinë dhe 1,266 kanë vdekur nga koronavirusi.
Në Korenë e Jugut, e cila është goditur në të njëjtën kohë, vetëm disa mijëra njerëz janë në karantinë, ndërsa kanë vdekur 72.
Me përhapjen e koronavirusit, këto dy raste ilustrojnë problemet me të cilat vendet e tjera do të përballen gjithnjë e më shumë.
Lexoni artikullin e plotë në këtë link: Pse Koreja e Jugut është më e suksesshme se Italia në shtypjen e koronavirusit?
BIK-u pezullon faljen në xhamia
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka njoftuar se është pezulluar përkohësisht falja e organizuar në xhamitë e Kosovës.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e Bashkësisë Islame të Kosovës në Facebook, myftiu Tërnava, tha se porosit besimtarët që të ndjekin të gjitha rekomandimet e institucioneve gjegjëse, lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
“Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara në Kosovë, me përhapjen e rasteve të të infektuarve me koronavirus, kryesia e BIK-ut pezullon përkohësisht faljen e organizuar me xhemat të namazeve ditore dhe namazeve të xhumasë, ndërsa besimtarët porositën që ditën e premte ta falin namazin e drekës si zëvendësim të namazit të xhumasë në shtëpitë e tyre, ndërsa ezani do të vazhdon të thirret në çdo kohë të namazit ditor”, tha Tërnava.
Ai tha se BIK-u do të pezullojë edhe procesin mësimor në të gjitha institucionet fetare, derisa njoftoi se xhamiat në mbarë Kosovën do të dezinfektohen.
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar tri raste me koronavirusin e ri.
Lojërat Olimpike Tokio 2020 "do të mbahen"
Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka thënë se Lojërat Olimpike Tokio 2020, do të mbahen sipas planifikimeve paraprake në muajin korrik, pavarësisht pse përhapja e koronavirusit ka rezultuar me shtyrjen apo anulimin e shumë ngjarjeve sportive.
Abe ka thënë se Komiteti Ndërkombëtar Olimpik do të marrë vendimin përfundimtar për këtë cështje.
“Ne do ta tejkalojmë shpërndarjen e infeksionit dhe do të jemi nikoqirë të Lojërave pa ndonjë problem, ashtu si është planifikuar”, ka thënë Abe.
Deri më tani në Japoni është raportuar për 28 persona të vdekur dhe më shumë se 1,400 të prekur nga kjo sëmundje.
Lojërat Olimpike të Tokios pritet të kushtojnë rreth 10.26 miliardë funta britanike, patën thënë organizatorët në muajin dhjetor.