Në Shqipëri, 38 raste me koronavirus
Në Shqipëri deri më tash janë regjistruar 38 raste me koronavirus.
Autoritetet atje, në kuadër të masave parandaluese kundër koronavirusit, kanë marrë vendim të premten që të mbyllin përkohësisht kufirin me Kosovën.
Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Kufijve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar se hyrja në Shqipëri është ndaluar nga data 13 mars, 2020, në ora 06.00.
Kjo masë është e paraparë të zgjasë deri me datën 15 mars, në ora 24.00.
Rastet e para me koronavirus, Kosova i ka regjistruar të premten.
Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Mali i Zi nuk ka të infektuar.
Italianët të izoluar, por në qejf
Ndonëse në izolim kombëtar, italianët kanë ruajtur disponimin dhe janë bashkuar me njëri-tjetrin përmes këngës. Ata janë parë nëpër ballkone duke kënduar, për të mbajtur lart moralin e kombit, që është prekur më së keqi në Evropë nga koronavirusi i ri.
Ministri francez: Mos përdorni barna kundër inflamacionit
Ministri i Shëndetësisë në Francë, Oliver Veran u ka bërë thirrje njerëzve që të mos përdorin barna kundër inflamacionit sepse ato mund t’iu keqësojnë situatën.
“Përdorimi i barnave kundër inflamacionit (siç është brufeni), mund të kenë efekt rëndues për infeksionin. Nëse keni temperaturë, përdorni paracetamol”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, në kohën kur po rritet shqetësimi për përhapje të koronavirusit.
Presidenti francez, Emmanual Macron ka marrë vendim të enjten për mbyllje të shkollave dhe u ka bërë thirrje njerëzve që të ndalin kontaktin e afërt me njerëz.
Në këtë shtet deri më tani kanë vdekur 79 persona nga koronavirusi i ri, ndërkohë që janë infektuar më shumë se 3,600 të tjerë nga kjo sëmundje.
Dyfishohet numri i të vdekurve nga koronavirusi në Britani
Dhjetë persona tjerë kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar si pasojë e koronavirusit të ri, duke e dërguar në 21 numrin e viktimave në këtë shtet.
Shefi mjekësor në Britani, Chris Whitty, ka thënë se pacientët që kanë humbur jetën kanë qenë në kategorinë “e rrezikshme”.
Deri më tani, 1,140 persona janë prekur nga kjo sëmundje në gjithë Britaninë.
“Unë e kuptoj që numri i rritur i vdekjeve nga koronavirusi mund të jetë shkak për shqetësim. Publiku duhet ta di që është duke u marrë secila masë për të ruajtur jetën e njerëzve dhe për mbrojtjen e atyre që janë më të ndjeshëm”.
Qeveria britanike ka thënë të premten se vlerësohet që numri i vërtetë i të prekurve me këtë virus në Mbretërinë e Bashkuar të jetë nga 5,000 deri në 10,000.
Një foshnje e sapolindur me nënën e saj janë dy rastet e reja për të cilat është raportuar të jenë prekur me këtë virus në Britani.