Turqia ndalon fluturimet nga disa pjesë të Evropës
Turqia tha se do të ndalojë fluturimet në dhe nga nëntë vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Ndalesa hyn në fuqi sot dhe do të vlejë deri më 17 prill, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Vendet e tjera që preken janë: Spanja, Norvegjia, Danimarka, Austria, Suedia, Belgjika dhe Holanda.
Fluturimet nga dhe në Itali, Turqia i ka pezulluar më herët.
Deri më tash, Turqia ka raportuar pesë raste me koronavirus.
Zbrazet Praga
Shkolla, bare, restorane të mbyllura... Nga e hëna edhe kufij të mbyllur. Këto janë masat e Republikës Çeke për luftimin e koronavirusit.
Kryeministri çek, Andrej Babis, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme më 12 mars.
Çekia ka 141 raste të konfirmuara me koronavirus.
Praga, një ndër qytetet me numrin më të madh të turistëve në Evropë, duket kështu këto ditë:
“Nuk është valë, është cunami”
Kështu ka deklaruar mjeku Roberto Rona, i cili po kujdeset për të prekurit me koronavirus në një spital të qytetit Monza të Italisë.
“Është diçka që ju bën të ndryshoni krejtësisht mënyrën se si udhëheqni me spitalin”, ka thënë ai.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Aktualisht ka 17,660 njerëz të infektuar, 1,266 të vdekur dhe 1,439 të shëruar.
Një ekip i ekspertëve kinezë ka arritur në Itali të premten mbrëma për t’i ndihmuar autoritetet atje në trajtim e krizës.
Prishtina në ditët e koronavirusit
Autoritetet në Kosovë konfirmuan më 13 mars dy raste pozitive me koronavirusin e ri.
Vetëm një ditë pas, rrugët e Prishtinës duken të boshatisura dhe ata pak persona që kanë dalë, kanë vendosur maska mbrojtëse.