Bie numri i rasteve të reja me koronavirus në Kinë
Autoritetet në Kinë thanë se përhapja e koronavirusit ka rënë “në mënyrë dramatike”.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit tha të shtunën se ka regjistruar 13 vdekje dhe vetëm 11 raste të reja, përfshirë njerëz që së voni kanë arritur në Kinë nga vendet e prekura, si Italia.
Në Kinë, mbi 65,000 njerëz janë shëruar nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Qyteti Vuhan i Kinës ka qenë epiqendra e shpërthimit.
Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa më pas janë përhapur edhe në vende të tjera të botës.
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miraton projektligj të ndihmës lidhur me koronavirusin
Ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar një projektligj të ndihmës lidhur me koronavirusin, që me shumë gjasa do të shndërrohet në ligj, pasi të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Dhoma e Përfaqësuesve, ku shumicë janë demokratët, kaloi projektligjin që ofron testime falas për sëmundjen Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Po ashtu, ky projektligj parasheh që të paguajë lirimin nga puna të qytetarëve dhe të rrisë ndihmën ushqimore, me qëllim që të zbusë barrën e familjeve.
Për këtë projektligj, 360 ligjvënës votuan pro, ndërkaq 40 ishin kundër.
Legjislacioni pritet të dërgohet javën e ardhshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Presidenti Donald Trump ka shkruar në Twitter se e mbështet këtë pako të ndihmës.
Për më shumë lexoni këtu.
Gati të gjithë që arrijnë në Zelandën e re, duhet të vetizolohen
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se gati secili person që hyn në këtë vend nga mesnata e së dielës, duhet të vetizolohet, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ardern tha se masa e re prek edhe shtetasit e Zelandës së Re që kthehen.
Përjashtim bëjnë vetëm qytetarët e ishujve të vegjël të Paqësorit, që nuk kanë raportuar raste me koronavirus.
“Nuk kërkoj falje. Kjo është një situatë e paparë”, tha Ardern.
Ajo shtoi se kjo masë do të rishikohet nga autoritetet pas 16 ditësh.
Zelanda e Re ka konfirmuar se ka gjashtë raste me koronavirus.
Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbylljen e kufijve tokësorë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sot nga ora 6:00, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, ka mbyllur kufijtë tokësorë të Kosovës për udhëtarët që hyjnë në vend, përjashtuar shtetasit kosovarë.
Këto masa vijnë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pas raportimeve për dy raste pozitive në Kosovë.
Sipas vendimit të Qeverisë, shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në vend, por ata do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe do të vetizolohen për 14 ditë.