Në SHBA shpallet emergjenca kombëtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shpalli të premten një "emergjencë kombëtare" për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Presidenti amerikan tha se në këtë mënyrë po i hap rrugën sigurimit të rreth 50 miliardë dollarë ndihmë federale për të luftuar sëmundjen.
Trump gjithashtu u bëri thirrje shteteve që menjëherë të krijojnë qendra të urgjencës.
Presioni ka qenë në rritje që Trump të deklarojë një emergjencë të sëmundjes infektive sipas ligjit të vitit 1988 që do t'i lejonte Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) të sigurojë fonde për katastrofën për shtetet dhe qeveritë lokale dhe të vendosë ekipe mbështetëse.
Kosova me masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mbyllen kafiteritë, baret, restoranet dhe qendrat tregtare me përjashtim të dyqaneve ushqimore.
Transporti ndërurban dhe ndëkombëtarë është pezulluar po ashtu.
Kyeministri, Albin Kurti tha se është vendosur edhe mbyllja e kufijve tokësorë.
“Kjo nuk vlen për shtetasit e Kosovës. Të gjithë ata që hyjnë do të iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore”, tha Kurti.
Masat u ndërmorrën pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë.
Qeveria ka vendosur që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ku kanë banuar dy personat e infektuar.
Kurti tha se nga 16 marsi do të pezullohen të gjitha linjat ajrore, përveç atyre ushtarake dhe atyre me ndihmë.
Rritet numri i vdekjeve në SHBA
Numri i njerëzve që kanë vdekur nga koronavirusi në shtetin Uashingtonit është rritur në 37, ka thënë guvernatori i shtetit.
Të gjitha shkollat publike dhe private atje do të mbyllen nga e marta dhe tubimet e më shumë se 250 njerëzve janë të ndaluar në të gjithë shtetin.
"Ne do të luftojmë këtë epidemi sa më shumë që të jetë e mundur dhe arsyeja është që ne nuk duam të shohim një gumbull të njerëzve që hyjnë në spitalet tona me kapacitet të kufizuar", tha guvernatori, Jay Inslee, në një konferencë për shtyp.
Rriten blerjet në dyqane e farmaci
Qytetarë të shumtë në Prishtinë janë parë të premten mbrëma duke blerë sasi të mëdha ushqimesh dhe barnash.
Kjo ka ndodhur pasi autoritetet e shëndetësisë në Kosovë kanë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus.
Pamje të ngjashme kanë mundur të shihen edhe nëpër qytete të tjera të botës, të prekura nga koronavirusi.
Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar deri më tash vdekjen e mbi 5,000 njerëzve në botë.
~ Fotogaleri: