Kosova ende pa asnjë rast me koronavirus, por me masa të shtuara
Kosova vazhdon të mbetet një nga dy vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë ende raste të regjistruara me koronavirus.
Megjithatë, qytetarët kanë ndërmarrë masa preventive, si vendosja e maskave, apo edhe kanë bërë blerje më të mëdha, sidomos të prodhimeve ushqimore.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka mbyllur shkollat dhe ka ndërprerë disa linja tokësore dhe ajrore me disa vende të Evropës.
~ Pamje sot në Prishtinë:
Republika Çeke mbyll kufijtë
Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Çekisë ka marrë vendim që, nga e hëna, t’iu ndalojë shtetasve çekë dhe të huajve me leje të përkohshme ose të përhershme banimi, të largohen nga Republika Çeke.
Sipas vendimit, asnjë i huaj po ashtu nuk do të lejohet të hyjë në vend.
Nga e premtja, 13 mars, karantina e detyrueshme do të zbatohet për të gjithë njerëzit që hyjnë në Çeki nga 18 vende: Austria, Belgjika, Kina, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Irani, Italia, Japonia, Holanda, Norvegjia, Koreja e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Republika Çeke ka aktualisht 117 njerëz të infektuar me koronavirus.
BE-ja kundër mbylljes së kufijve
Bashkimi Evropian i paralajmëroi vendet anëtare kundër mbylljes së njëanshme të kufijve, si masë për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “ndalesat e përgjithshme të udhëtimeve nuk konsiderohen si masa më efektive nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.
Von der Leyen sugjeroi kontrollet e njerëzve në kufij.
Reagimi i saj vjen pasi Çekia i është bllokuar Sllovakisë fqinje në mbylljen e kufijve për të huajt, përveç atyre që kanë leje banimi.
Stafi i repartit të emergjencës në Viti në karantinë
Reparti i emergjencës në Komunën e Vitisë, në Kosovë, është dezinfektuar në tërësi mëngjesin e së premtes, pas dyshimeve se një person që është vizituar aty, mund të jetë i prekur me koronavirus.
Ky person, i moshës rreth 80-vjeçare, ka ardhur në Kosovë nga Italia ditë më parë.
Vjollca Kadolli, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, i ka informuar institucionet gjegjëse se stafi mjekësor që ka qenë në kontakt me ambientin ku është ekzaminuar i infektuari i dyshuar, është në karantinë.
Pasditen e së premtes priten të dalin rezultatet nëse personi i dyshuar është i prekur me koronavirus ose jo.
“Nëse personi është prekur me virus, atëherë mostrat do t’i merren edhe stafit mjekësor dhe të gjithë atyre që kanë pasur kontakt me personin e dyshuar”, ka thënë Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me koronavirusin e ri, derisa janë testuar rreth 90 persona si të dyshuar.