Shkon në 33 numri i të infektuarve në Shqipëri
Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se numri i të infektuarve me koronavirus në këtë vend ka arritur në 33.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka thënë se nga 33 të prekurit, 8 janë të shtruar në Spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina) dhe 25 të tjerë janë të vetizoluar në shhtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndër të prekurit me sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19, është edhe një mjek.
Në shumicën e qyteteve të Shqipërisë janë ndaluar hyrje-daljet e banorëve, si masë për pengimin e përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë urdhër që policia, bashkë me ushtrinë, të dalin nëpër rrugë dhe të sigurojnë se njërëzit po vetëkarantinohen dhe se nuk përbëjnë rrezik për të tjerët.
Për më shumë lexoni këtu.
Franca ndalon tubimet me mbi 100 njerëz
Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, tha se qeveria e tij ka marrë vendim për ndalimin e tubimeve publike me më shumë se 100 vetë, si masë për pengimin e përhapjes së koronavirusit.
Franca ka mbi 2,800 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 61 viktima.
Masa e fundit vjen një ditë pasi një numër i gazetarëve francezë, që mbulojnë shpërthimin e koronavirusit në Itali, kanë nënshkruar një letër, duke kërkuar nga zyrtarët që ta marrin më seriozisht pandeminë.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Shkollat në Serbi mbeten të hapura
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se institucionet arsimore në Serbi mbeten të hapura, përkundër përhapjes së koronavirusit.
“E kuptojmë panikun dhe brengën e prindërve. Për neve kjo është një temë e ndjeshme dhe e rëndësishme. Unë kam propozuar që të ndërpritet mësimi, porse qëndrimi i profesionistëve është unik: nuk ka asnjë arsyetim profesional për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe fakulteteve tash për tash”, tha Bërnabiq në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë.
Ajo tha se qeveria, më 13 mars, do të marrë vendim për ndalimin e publikut në manifestimet sportive.
Serbia ka aktualisht 31 të infektuar me koronavirus.
Si masë parandaluese, shkollat janë mbyllur në disa vende të Evropës, përfshirë: Italinë, Danimarkën, Republikën Çeke, Sllovakinë, Francën e Portugalinë.
E gjithë Qeveria e Rumanisë në karantinë
Kryeministri i përkohshëm i Rumanisë, Ludovic Orban, dhe i gjithë kabineti i tij 17-anëtarësh janë dërguar në karantinë, pasi senatori i Partisë së tyre Kombëtare Liberale, Vergil Chitac, është infektuar me koronavirus.
Të gjithë senatorëve liberalë dhe gazetarëve që kanë ndjekur konferencat e qeverisë, u është thënë të testohen.
Rumania ka qenë në mesin e një krize politike dhe kjo situatë pritet ta thellojë atë.
Qeveria e Orbanit ka humbur votën e besimit pesë javë më parë.
Romania ka 70 persona të infektuar me koronavirus.
Rreth 1.2 milion rumunët që punojnë në Itali – vendin e goditur keq nga koronavirusi – po përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre, pavarësisht apeleve të qeverisë për të mos e bërë një gjë të tillë.