Polonia e ndihmon Kosovën për luftimin e pandemisë
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka pranuar sot (29 maj) një donacion nga Polonia, prej 100,000 maskave dhe 10,350 litrave me dezinfektues për nevoja të profesionistëve dhe institucioneve shëndetësore.
Ky kontigjent i ndihmës, është pjesë e ndihmës polake për shtetet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Deri më tani në Kosovë janë regjistruar gjithsej 1.052 të infektuar, prej të cilëve 820 janë shëruar ndërsa 30 kanë vdekur.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.
Zelanda e Re ka vetëm një rast aktiv me koronavirus
Zelanda e Re ka vetëm një rast aktiv me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Ky vend ka treguar ndër rezultatet më të mira në botë, në parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Ndër masat e para që ishin marrë, nga ana e autoriteteve, ishte mbyllja e plotë e kufijve, më 25 mars.
Në atë kohë, nuk kishte asnjë rast të vdekjeve nga sëmundja dhe në të gjithë vendin ishin vetëm 100 raste aktive me koronavirus.
Deri më tani në Zelandën e Re janë regjistruar gjithsej 1,500 raste të infektuarve dhe 22 vdekje.
Muajin e kaluar, zyrtarët thanë se vendi kishte fituar betejën kundër pandemisë.
Masat e izolimit janë lehtësuar duke lejuar tubimin e deri 100 personave.
Brazili shënon numër rekord të rasteve të reja me COVID-19
Brazili regjistroi më shumë se 26.417 raste të reja të infektuarve me koronavirusin e ri, njoftoi ministria e Shëndetësisë.
Ky është numri më i lartë i rasteve, brenda një dite, që nga fillimi i epidemisë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 438,238, niveli i dytë më i lartë global, pas Shteteve të Bashkuara.
Së paku 26 mijë njerëz kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Numri i rasteve të pazbuluara dhe vdekjeve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë për shkak të mungesës së testimit.
Rritet numri i rasteve të reja me COVID-19 në Gjermani
Gjermania ka regjistruar 741 raste të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në mbi 180 mijë.
Autoritetet shëndetësore njoftuan se 39 pacientë tjerë kanë vdekur si pasojë e efekteve të sëmundjes, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 8,450.
Numri i rasteve të reja me COVID-19 është pothuajse dyfish më i lartë, krahasuar me shifrat e ditëve të fundit, ndërsa numri i vdekjeve mbetet afërsisht në të njëjtin nivel.
Si pjesa më e madhe e Evropës, edhe Gjermania aktualisht po lehtëson masat e izolimit, por zyrtarët kanë tërhequr vërejtjen se mund të ketë një përhapje tjetër të virusit.
Më 27 maj, kancelarja gjermane, Angela Merkel porositi që të tregohet kujdes, për të shmangur përhapjen e virusit, duke kërkuar zbatimin e masave të distancës fizike dhe vendosjes së maskës mbrojtëse.
"Ne akoma jemi në fillimin e pandemisë", u tha ajo gazetarëve.