Një i vdekur nga COVID-19 në Serbi
Gjatë 24 orëve të fundit, në Serbi një person ka vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 241, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë.
Gjatë 24 orëve janë testuar 4534 persona dhe prej tyre 25 kanë rezultuar pozitiv në koronavirus.
Që nga fillimi i epidemisë në Serbi janë konfirmuar 11,300 raste si të infektuar me koronavirusin e ri.
Aktualisht, 558 pacientë janë të shtruar në spital, nëntë prej të cilëve janë të vendosur në oksigjenoterapi. Numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar është 6.438.
Në Kosovë regjistrohen edhe 19 të shëruar nga COVID-19
Të enjten në Kosovë janë shëruar edhe 19 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Kështu ka njoftuar Instituti i Shëndetësisë Publike, sipas të cilit janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirusin e ri.
"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Stanovc) dhe 1 rast me vendbanim në Përlepnicë-Gjilan", thuhet në njoftimin e Institutit.
Deri më tani në Kosovë janë regjistruar gjithsej 1.052 të infektuar, prej të cilëve 820 janë shëruar ndërsa 30 kanë vdekur.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.
Apostolova dhe Wigemark kërkojnë që gjyqësori të shqyrtojë rastet penale
Shefi i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të ndërhyjë urgjent për të parandaluar rifillimin e procedurës gjyqësore për dhjetëra dosje të profilit të lartë, shqyrtimi i të cilave ka ngecur për shkak të mugesës së seancave dëgjimore gjatë pandemisë.
Ai këto komente i bëri përmes një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimi që ka pasur, së bashku me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj.
Zyrtarët evropianë kanë kërkuar që të ruhet efikasiteti gjyqësor në çështjet penale gjatë krizës së pandemisë.
"Iu kërkua autoriteteve gjyqësore të ndërmarrin veprime për të minimizuar ndikimin e pandemisë në zgjidhjen e këtyre çështjeve", ka shkruar Apostolova në rrjetin Twitter.
Disa prej këtyre çështjeve ndërlidhen edhe me monitorimin që i bën BE-ja rasteve gjyqësore të profilit të lartë, zgjidhja e të cilave ndikon në procesin e liberalizimit të vizave.
Që nga raportimi i rasteve të para me koronavirusin e ri në muajin mars, gjykatat edhe prokuroritë në Kosovë nuk janë duke u marrë me raste tjera përveç atyre që lidhen me paraburgime ose dhunë në familje.
Kjo mënyrë e funksionimit është duke vazhduar ende, pavarësisht lehtësimit të masave për lëvizje të lirë nga autoritetet përkatëse.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë thënë se aktualisht në gjykatat e Kosovës po kryhet punë me kapacitete mbi 30 për qind dhe se aktualisht, nuk po shqiptohen vendimet gjyqësore, përveç rasteve urgjente.
Kryesuesi i këtij këshilli, Skënder Çoçaj, i tha Radios Evropa Lirë, më 26 maj, se janë në pritje të vendimeve të autoriteteve kompetente për lejimin e kthimit të stafit në gjykata.
Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë problem, i cili gjyqësorin po e përcjellë në vazhdimësi për dy dekada.
Aktualisht në Kosovë janë mbi 200 mijë lëndë të pazgjidhura, e që numri më i madh i tyre është në gjykatat themelore.
Franca do të fillojë fazën e dytë të lehtësimit të masave
Kryeministri francez, Edouard Philippe, njoftoi se vendi tij po kalon në fazën e dytë të lehtësimit gradual të masave, dhe se zona e Parisit nuk konsiderohet më një "zonë e kuqe" për përhapjen e koronavirusit.
Philippe shtoi gjithashtu se rreziku ekziston ende për 67 milionë qytetarë francezë dhe se pasi të lehtësohen masat, qeveria do t'i kushtojë vëmendje të veçantë të dhënave të autoriteteve shëndetësore.
"Shumica e ngjarjeve sportive do të mbeten të pezulluara deri më 21 qershor, kinematë duhet të hapen më 22 qershor dhe shteti do të shpejtojë një plan për hapjen e shkollave të mesme në të gjithë vendin", tha Philippe.
Restorantet, kafenetë dhe plazhet do të jenë të hapura nga 2 qershori.
Më shumë se 28.500 njerëz kanë vdekur në Francë nga efektet e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Deri më tani, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në më shumë se 182,000.