Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
19:02 28.5.2020

Vlera "R" dikton heqjen e masave të izolimit

Vlera "R" dikton heqjen e masave të izolimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:26 0:00

18:28 28.5.2020

SHBA-ja raporton shifrat e rënies ekonomike

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar për rënien ekonomike tremujore më të lartë, në më shumë se një dekadë.

Sipas shifrave zyrtare, bruto prodhimi i brendshëm - shuma e vlerës së mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në ekonomi - ra për 5% në periudhën midis janarit dhe marsit të këtij viti.

Kjo paraqet rënien më të madhe që nga viti 2018 kur ishte raportuar rënie 8.4% në tre muajt e fundit të vitit. Shifra gjithashtu tejkalon parashikimet fillestare të bëra një muaj më parë.

Shumë ekonomistë presin që ky trend i rënies ekonomike të vazhdojë pasi masat gjithëpërfshirëse të lidhura me pandeminë kanë shkaktuar mbylljen e mijëra bizneseve dhe kanë lënë miliona njerëz pa punë.

SHBA-ja është vendi më i goditur në botë nga pandemia e COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Për herë të parë, rastet me këtë sëmundje u paraqiten në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar.
SHBA-ja e ka akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve lidhur me sëmundjen.

18:18 28.5.2020

Të vërtetat dhe gënjeshtrat për koronavirusin

A ka ilaç për koronavirusin? A do të vendosë Bill Gates “mikroçipa” në trupat tanë? A është kjo pandemi vërtet teori konspirative e krijuar nga NATO-ja? Kuptojeni sesa dini për koronavirusin. Të gjithë shembujt janë marrë nga faqja EUvsDisinfo apo nga raportimi i Radios Evropa e Lirë. EUvsDisinfo është projekt i task-forcës StratCom, që funksionon në kuadër të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm. Është krijuar më 2015 për të parashikuar, adresuar dhe për t’u përgjigjur ndaj fushatave të vazhdueshme të dezinformimit nga ana e Rusisë, të cilat prekin Bashkimin Evropian, vendet anëtare dhe shtetet tjera fqinje. Nga viti 2019, ky projekt ka zgjeruar mbulueshmërinë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor.​

Filloni kuizin për të kuptuar rezultatin!

17:26 28.5.2020

Bosnje dhe Hercegovina do të hapë kufijtë me shtetet fqinje

Bosnje dhe Hercegovina do të hapë kufijtë e saj për qytetarët e vendeve fqinje, Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, më 1 qershor.

Ky është vendimi nga takimi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, që është mbajtur të enjten.

"Kufijtë do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e vendeve fqinje, pavarësisht nga arsyet pse vijnë në Bosnje", tha Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave.

Më 11 mars, Bosnja dhe Hercegovina zyrtarisht ndaloi hyrjen nga vendet më të rrezikuara, të cilat kishin numrin më të madh të rasteve me koronavirus.

Sipas Tegeltija, të gjithë qytetarët që vijnë në Bosnje, do të duhet t'u përmbahen masave të nxjerra nga institutet epidemiologjike.

Për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe pjesës tjetër të botës, masat e ndalimit të miratuara më 11 mars mbeten në fuqi.

Përveç një sërë masash lehtësuese, Këshilli i Ministrave gjithashtu mori një vendim për hapjen e trafikut ajror.

"Nuk ka më ndalime për transportin ajror, por udhëtarët duhet të zbatojnë masat," theksoi Tegeltija.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG