OBSH: 159,000 vdekje shtesë në Evropë nga marsi
Zyra rajonale për Evropë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka njoftuar se nga fillimi i muajit mars, kur ka shpërthyer pandemia me koronavirus në këtë kontinent, janë regjistruar 159,000 vdekje shtesë.
Në një takim të përjavshëm për koronavirusin, Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën, ka thënë se 2 milionë persona është konfirmuar se janë prekur nga koronavirusi prej regjistrimit të rastit të parë katër muaj më parë.
“Ndoshta shifër më pak e raportuar, mirëpo njëjtë alarmuese, që tregon se nga fillimi i muajit korrik janë regjistruar më shumë se 159,000 vdekje shtesë, të lidhura me pandeminë në 24 shtete evropiane”, ka thënë Kluge.
“Këto vdekje janë përtej asaj që kemi pritur të ndodhë normalisht në këtë kohë të vitit”.
Kluge ka thënë se në gjithë Evropën, 94 për qind e të gjitha vdekjeve kanë qenë të personave të moshës mbi 60-vjeçare, dhe se gati gjashtë nga 10 viktimat kanë qenë burra.
Pothuajse të gjithë - 97 për qind - të atyre që kanë vdekur, kanë pasur edhe ndonjë sëmundje shtesë, sidomos ato të zemrës, ka thënë mes tjerash ai.
Pavarësisht pse OBSH-ja tani deklaron se rajoni i prekur më së keqi tani është kontinenti amerikan, numri i rasteve të prekura me koronavirus në Evropë përbën 36 për qind të numrit të përgjithshëm të të infektuarve.
Jo, teknologjia 5G nuk e shkakton dhe përhap COVID-19
Përmes një deklarate zyrtare më 20 maj, Kisha Ortodokse e Moldavisë i bëri thirrje qeverisë që çdo vaksinë e mundshme ndaj koronavirusit të merret në baza vullnetare nga ana e qytetarëve.
“Në shumë vende evropiane, shoqëritë po protestojnë kundër një detyrimi për vaksinim, veçanërisht ndaj vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, sepse i shohin ato si një mundësi për sistemin global kundër të krishterëve, që të fusin mikroçipet në trupin e njeriut dhe të kontrollojnë njerëzit me ndihmën e teknologjisë 5G", thuhet në deklaratë.
Gjatë kësaj periudhe të pandemisë kanë ekzistuar lloj-lloj teorish të çuditshme të komplotit, shumë prej të cilave janë ndërlidhur me zhvillimin e gjeneratës së re të shërbimeve të internetit 5G.
Dhe, nuk është vetëm kisha e Moldavisë që mendon kështu.
Reagimet tjera i kuptoni duke klikuar këtu.
Turqia rikthen shërbimin e brendshëm të trenave
Shërbimi i trenave brenda Turqisë ka nisur të funksionojë të enjten me kapacitet të kufizuar, teksa Qeveria e këtij shteti lehtëson masat e kufizimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Trenat është thënë se do të realizojnë 16 udhëtime në ditë, duke lidhur qytetet si: Ankaraja, Stambolli, Konja dhe Eskishehër.
Pasagjerët do të lejohen të udhëtojnë vetëm nëse kanë siguruar një kod të lëshuar nga qeveria që vërteton se ata nuk po vëzhgohen si persona të dyshimtë për koronavirus.
Duke folur në një ceremoni në stacionin e trenit në Ankara, Ministri turk i Transportit Adil Karaismailoglu, ka thënë se udhëtarët që tregojnë shenja të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, nuk do të lejohen të udhëtojnë.
Ai po ashtu ka thënë se nëse dikush ka shenja të sëmundjes në tren, i njëjti do të dërgohet në “zonën e izoluar” dhe do t’iu dorëzohet zyrtarëve shëndetësorë në stacionin më të afërt.
Përgjatë udhëtimit nuk do të ofrohen ushqim dhe as pije, ka njoftuar mes tjerash ministri.
Deri më tani, Turqia ka raportuar për gati 160,000 raste të konfirmuara me koronavirus, duke përfshirë edhe 4,431 të vdekur.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, rreth 123,000 pacientë janë shëruar.
Hapja e shkollave nuk ndikon në rritje të infektimit në Finlandë
Finlanda nuk ka vërejtur përhapje më të madhe të koronavirusit prej kur ka hapur shkollat në filim të muajit maj, ka thënë drejtori për siguri shëndetësore në Institutin finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie, Mika Salminen.
“Koha ka qenë e shkurtër, mirëpo deri më tani nuk kemi të dhëna”, ka thënë Salminen në një konferencë për media, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Finlanda ka nisur të rihapë shkollat dhe qendrat për qëndrim ditor nga 14 maji, pas gati dy muajve të izolimit.
Të enjten, autoriteti shtetëror për shëndetësi ka raportuar për 51 raste të reja me koronavirus në Finlandë.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve që lidhen me këtë virus në territorin finalandez ka shkuar në 313.