Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:40 28.5.2020

Koreja Jugore rikthen disa masa të izolimit​

Zyrtarët në Korenë Jugore kanë rikthyer masat e izolimit në Seul, shtëpi për 52 milionë banorë të këtij shteti, pas rritjes më të madhe të numrit të të prekurve me koronavirus në pothuajse dy muaj, 79 raste në 24 orë.

Muzetë, parqet dhe galeritë e artit do të mbyllen sërish të premten për dy javë, ka thënë Ministri i Shëndetësisë, Park Neung-hoo, teksa kompanive u është kërkuar të rikthejnë kushtet fleksibile të punës për punëtorët.

“Ne kemi vendosur që të ashpërsojmë të gjitha masat e karantinës në zonën e qytetit për dy javë, duke nisur nga nesër deri më 14 qershor", ka thënë sipas agjencisë së lajmeve, AFP.

Banorët në Seul janë këshlluar që të shmangin grumbullimet apo turmat e mëdha të njerëzve nëpër restorante dhe bare, derisa institucioneve fetare u është kërkuar vëmendje shtesë.

“Dy javët e ardhshme janë vendimtare për të parandaluar përhapjen e virusit në zonën e kryeqytetit”, ka thënë Park, teksa ka shtuar se “neve do të na duhet të kthejmë masën e distancimit fizik nëse dështojmë”.

Kufizimet në lëvizje janë hequr më 6 maj në këtë shtet, pasi pandemia me koronavirus ishte vënë nën kontrollë.

10:18 28.5.2020

EasyJet do të largojë nga puna 30 për qind të stafit

Linja ajrore britanike, EasyJet ka thënë se do të ulë për 30 për qind numrin e stafit që aktualisht ka - apo 4,500 vende të punës - si dhe do të tkurrë flotën që ka për t’u adaptuar me situatën e re të krijuar pas shpërthimit të koronavirusit.

Ky njoftim ka ardhur pas marrjes së vendimeve të ngjashme nga kompanitë tjera ajrore si British Airways dhe Ryanair.

Easyjet ka thënë se do të nisë konsultime me stafin për të diskutuar hollësitë.

Aktualisht kjo kompani ka 15,000 punëtorë në tetë shtet evropiane.

Linjat ajrore në gjithë botën janë goditur nga pothuajse ndalimi i plotë i udhëtimit ajror përgjatë pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

09:48 28.5.2020

Të vërtetat dhe gënjeshtrat për koronavirusin

A ka ilaç për koronavirusin? A do të vendosë Bill Gates “mikroçipa” në trupat tanë? A është kjo pandemi vërtet teori konspirative e krijuar nga NATO-ja? Kuptojeni sesa dini për koronavirusin. Të gjithë shembujt janë marrë nga faqja EUvsDisinfo apo nga raportimi i Radios Evropa e Lirë. EUvsDisinfo është projekt i task-forcës StratCom, që funksionon në kuadër të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm. Është krijuar më 2015 për të parashikuar, adresuar dhe për t’u përgjigjur ndaj fushatave të vazhdueshme të dezinformimit nga ana e Rusisë, të cilat prekin Bashkimin Evropian, vendet anëtare dhe shtetet tjera fqinje. Nga viti 2019, ky projekt ka zgjeruar mbulueshmërinë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor.​

Niseni kuizin, duke klikuar këtu.

09:10 28.5.2020

Qiproja do të paguajë shpenzimet e turistëve të infektuar

Qiproja është zotuar se do të mbulojë shpenzimet e secilit person që infektohet me koronavirus pasi të ketë udhëtuar në këtë vend.

Kjo masë është pjesë e paketës që synon të tërheqë vizitorë në këtë ishull, i cili ka raportuar pak raste të infektuara me koronavirus.

Qeveria ka thënë se do të paguajë për strehim, mjekim dhe ushqim për pacientët dhe familjet e tyre.

Turistët “vetëm duhet të mendojnë për shpenzimet e aeroportit dhe fluturimit të riatdhesimit”.

Qiproja deri më tani ka raportuar për 939 raste të të infektuarve dhe 17 vdekje të lidhura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG