Kryqi i Kuq raporton mbi 200 sulme të lidhura me koronavirus ndaj zyrtarëve shëndetësorë
Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, ka raportuar se janë regjistruar 208 sulme të lidhura me koronavirusin ndaj punëtorëve shëndetësorë në 13 shtete të botës nga muaji mars.
Maurer ka thënë më 27 maj se punëtorët shëndetësorë janë duke u sulmuar dhe abuzuar, derisa sistemet shëndetësore janë duke u shënjestruar në kohën kur nevojiten më së shumti.
Këto sulme përbëjnë dallim të madh me qasjen e shumë kombeve ndaj punëtorëve shëndetësorë, nëpër të cilat personat e vijës së parë të frontit kundër virusit janë respektuar, duartrokitur dhe përgëzuar.
“Kriza me Covid-19 po rrezikon të kthehet në krizë të mbrojtjes”, ka thënë Maurer para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai u ka thënë gazetarëve se të dhënat e mbledhura nga ky Komitet në 13 shtete në Lindje të Mesme, kontinentin amerikan dhe Afrikë, tregojnë se “shifrat aktuale janë shumë më të mëdha sesa është parashikuar”.
Incidentet dallojnë nga kërcënimet verbale, e deri të djegia e objekteve që kanë strehuar pacientë të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq bashkë me një varg organizatash ndërkombëtare, infermierë dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor kanë nisur një deklaratë duke përgëzuar përgjigjjen e publikut ndaj atyre që po ndihmojnë në luftimin e koronavirusit.
Megjithatë ata kanë theksuar se “fatkeqësisht, realiteti i trishtë është se punëtorët shëndetësorë kanë qenë subjekt i forcave shokuese të dhunës për një kohë të gjatë”.
Pandemia rrit shkallën e varfërisë në Kosovë
Situata e krijuar në Kosovë nga pandemia me koronavirus, ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës, rënie të aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht rritje të shkallës së varfërisë.
Në Kosovë, të dhënat e disa mekanizmave tregojnë se, numri i familjeve, të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra, është rritur gjatë kësaj kohe.
Sipas të dhënave të Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve dërguar Radios Evropa e Lirë konfirmohet se gjatë periudhës mars – maj, gjatë kohës kur Kosova është përballur me pandeminë e koronavirusit, numri i familjeve me asistencë sociale është rritur për rreth 700.
“Sipas të dhënave të muajit maj, shfrytëzues të asistencës sociale në Kosovë janë 24,864 familje, që krahasuar me muajin mars 2020, numri i familjeve është rritur për 666 familje”, thotë zëdhënësi i ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve, Muharrem Shahini.
Materialin e plotë e gjeni këtu.
Mbi 100,000 persona të vdekur nga koronavirusi në SHBA
Numri i personave të vdekur si pasojë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar shifrën 100,000, në më pak se katër muaj.
SHBA-ja njëherësh është kthyer në vendin e parë me më së shumti viktima, ndërkohë që 1.69 milion persona të infektuar me këtë virus në territorin amerikan, përbëjnë 30 për qind të shifrës globale të të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Rasti i parë i infektimit ishte raportuar në Uashington më 21 janar.
Në gjithë botën deri më tani janë regjistruar 5.6 milionë persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 354,983 kanë vdekur, nga koha kur është raportuar për rastin e parë të infektimit në qytetin kinez, Vuhan në fund të vitit të kaluar.
Shifra e personave të vdekur nga koronavirusi në SHBA, konsiderohet të jetë e njëjtë me numrin e ushtarëve amerikanë që janë vrarë në Gadishullin Korean, Vietnam, Irak dhe Afganistan, përgjatë 44 vjetëve të përleshjeve.
Megjithatë, numri i të vdekurve në SHBA nga ky virus, në raport me numrin e përgjithshëm të banorëve, e rendit territorin amerikan në vendin e nëntë të shkallës së vdekshmërisë, ka raportuar Universiteti Johns Hopkins.
Boeing mbyll mijëra vende pune
Kompania amerikane për prodhimin e aeroplanëve, Boeing tha të mërkurën se po planifikon mbylljen e më shumë se 12,000 vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.
Kompania njoftoi në prill që do të shkurtojë 10% të fuqisë punëtore deri në fund të vitit 2020.
Boeing po ul kostot, pasi një rënie të kërkesës së fluturimeve gjatë pandemisë së koronavirusit.
Shefi Ekzekutiv Dave Calhoun u tha punonjësve përmes një email-i se "ndikimi shkatërrues i pandemisë në industrinë e linjave ajrore do të thotë një rënie e numrit të shërbimeve tregtare për të cilat klientët tanë do të kenë nevojë gjatë viteve të ardhshme, gjë që do të thotë më pak punë në linjat tona dhe në zyrat tona".