Shtatë persona shërohen nga COVID-19 në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se të mërkurën është konfirmuar vetëm një rast me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
"Janë testuar gjithsej 267 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Rasti pozitiv është rast kontakti nga komuna e Vushtrrisë", thuhet në njoftim.
Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 1,048.
IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të mërkurën janë shëruar edhe shtatë pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 801.
Deri më tani në Kosovë 30 pacientë kanë humbur jetën.
Më herët qeveria në detyrë ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, për mbylljen e hapësirave që kanë shërbyer si karantinë, për personat që kanë hyrë në Kosovë nga vendet tjera.
Vendimi për mbylljen e karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe qendrën për të huaj në Vranidoll, hyn në fuqi më 30 maj.
Testet e antitrupave synojnë të tregojnë një pamje më të gjerë të pandemisë
Sa persona janë infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, duke mos pasur simptoma? A janë imunë pacientët e shëruar nga një infektim i dytë? Nëse po, për sa kohë? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që studiuesit po mundohen t’u japin përgjigje në Çeki, Gjermani dhe vende tjera duke përdorur testet e antitrupave.
Zvicra lehtëson masat e izolimit
Qeveria zvicerane vendosi sot të lehtësojë masat kundër pandemisë. Nga dita e shtunë, ky vend do të lejojë tubimet spontane të deri 30 personave.
Përveç kësaj, nga 6 qershori, do të lejohen të gjitha ngjarjet publike ose private me pjesëmarrjen e deri 300 personave. Kjo masë do të lejojë që zyrat e organizatave të shumta ndërkombëtare në Gjenevë, të tilla si Kombet e Bashkuara, të vazhdojnë punën e tyre.
Nga ajo datë, të gjitha objektet argëtuese dhe të kohës së lirë, si pishinat, kopshtet zoologjike, do të rihapen.
Shkollat profesionale dhe të mesme si dhe universitetet gjithashtu do të jenë në gjendje të vazhdojnë punën.
Në garat sportive do të lejohet pjesëmarrja e publikut.
Sidoqoftë, garat në sportet që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë, si mundje dhe xhudo, do të jenë të mundshme që nga 6 korriku.
Qeveria zvicerane synon të rivendosë lirinë e lëvizjes dhe të udhëtimit me të gjitha vendet e Shengenit deri më 6 korrik.
Kontrollet kufitare me Gjermaninë, Austrinë dhe Francën do të hiqen më 15 qershor.
Lehtësimi i masave ka filluar më 27 prill.
Ky vend nuk ka zbatuar masa të rrepta të izolimit, sikurse shumë vende tjera.
Në Zvicër, 1.917 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Të vërtetat dhe gënjeshtrat për koronavirusin
A ka ilaç për koronavirusin? A do të vendosë Bill Gates “mikroçipa” në trupat tanë? A është kjo pandemi vërtet teori konspirative e krijuar nga NATO-ja? Kuptojeni sesa dini për koronavirusin. Të gjithë shembujt janë marrë nga faqja EUvsDisinfo apo nga raportimi i Radios Evropa e Lirë. EUvsDisinfo është projekt i task-forcës StratCom, që funksionon në kuadër të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm. Është krijuar më 2015 për të parashikuar, adresuar dhe për t’u përgjigjur ndaj fushatave të vazhdueshme të dezinformimit nga ana e Rusisë, të cilat prekin Bashkimin Evropian, vendet anëtare dhe shtetet tjera fqinje. Nga viti 2019, ky projekt ka zgjeruar mbulueshmërinë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor.