Kroacia nuk shënon asnjë rast të ri me koronavirus
Kroacia nuk ka regjistruar asnjë të infektuar me koronavirusin e ri, gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend, që nga fillimi i epidemisë, mbetet 2,244.
Kështu ka njoftuar Shtabi i Mbrojtjes Civile në Kroaci.
Kjo është dita e tretë me rradhë, që autoritetet shëndetësore kroate nuk kanë regjistruar asnjë rast me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Aktualisht në spitalet kroate, trajtim mjekësor po marrin 38 pacientë. Gjashtë prej tyre janë të vendosur në respiratorë.
Numri i të shëruarve ka arritur në 2,047.
Ky vend, ka shënuar gjithsej 101 raste te vdekjeve nga COVID-19.
Serbia konfirmon 48 raste të reja me COVID-19
Ministria e Shëndetësisë në Serbi ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 48 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Gjatë kësaj periudhe është shënuar edhe një viktimë nga kjo sëmundje.
Deri më tani në Serbi janë regjistruar 11,275 raste të infektuarve, ndërsa 240 pacientë kanë vdekur.
Shtabi i Krizës që udhëhiqet nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka vendosur që të lehtësojë masat e izolimit, në përputhje me situatën epidemiologjike.
Duke nisur nga data 1 qershor, në ngjarjet sportive do të lejohet prania e publikut, me kushtin që të mbahet distanca fizike prej së paku një metër.
Gjithashtu, do të lejohen tubimet në ambiente të hapura të deri 1 mijë personave.
Italia hap pishinat, distancë fizike edhe në ujë
Italia, që është një ndër vendet të goditura më së keqi nga koronavirusi, ka filluar të zbusë masat e izolimit. Gjatë kësaj jave ky vend ka hapur palestrat sportive si dhe pishinat.
Jemi ende në fillim të pandemisë, thotë Merkel
Qeveria federale e Gjermanisë po monitoron situatën e pandemisë nga afër, por përgjegjësia praktike qëndron gjithnjë e më shumë në 16 shtetet rajonale, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ajo porositi që të tregohet kujdes, për të shmangur përhapjen e virusit, duke kërkuar zbatimin e masave të distancës fizike dhe vendosjes së maskës mbrojtëse.
"Ne akoma jemi në fillimin e pandemisë", u tha ajo gazetarëve, transmeton Reuters.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Gjermani janë regjistruar gjithsej 181,293 raste me COVID-19, dhe 8,408 viktima.
Të hënën ky vend ka lehtësuar masat e izolimit duke lejuar hapjen e restoraneve.
Gjermania është zhytur në recesion, pasi pësoi tkurrjen e saj më të madhe tremujore, që nga kriza financiare e vitit 2009.
Ekonomia u tkurr me 2.2% në tre muajt e parë të vitit 2020, pasi dyqanet dhe bizneset u mbyllën, në mes të marsit, për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.