Një i vdekur dhe 21 raste të reja me COVID-19 në Bosnje dhe Hercegovinë
Në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 21 raste të reja të infektuarve me koronavirusin e ri.
Prej tyre, 21 raste janë regjistruar në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa tre në Republikën Serbe.
Gjatë kësaj periudhe, është regjistruar edhe një vdekje nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Pacienti kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Një ditë më parë në Bosnje dhe Hercegovinë ishte raportuar për 10 raste të reja me COVID-19.
Në këtë vend, deri më tani, janë testuar 35,520 persona dhe prej tyre 1,042 kanë dalë pozitiv në koronavirus. Të shëruar nga sëmundja janë 927 pacientë, ndërsa 39 kanë vdekur.
Sulejman Rexhepi shkarkohet nga posti i kryemyftiut të Maqedonisë së V.
Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi të mërkurën kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.
Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh nga ai, që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe për aktin personal të martesës.
Veç kësaj, reagime të shumta në opinion ka shkaktuar edhe një prononcim i Rexhepit gjatë Festës së Bajramit, këtë javë, kur ka thënë se koronavirusi është i vdekur.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Nënat e sëmura me COVID-19 nuk e transmetuan sëmundjen te foshnjat
Në Kosovë, katër gra shtatzëna, të sëmura me COVID-19 kanë lindur foshnjat e tyre, mirëpo kjo sëmundje që shkaktohet nga koronavirusi i ri, nuk është transmetuar te të porsalindurit, tha për Radion Evropa e Lirë Jakup Ismaili drejtor i Klinikës Gjinekologjike – Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai shton se aktualisht është edhe një grua shtatzënë e infektuar me koronavirus, e që është nën mbikëqyrjen e stafit të Gjinekologjisë.
“Të gjitha foshnjat që kanë lindur nga nënat e prekura me koronavirus, janë testuar, dhe gjitha kanë rezultuar negative”, tha Ismaili.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
BE propozon paketë të ndihmës prej 750 miliardë eurosh
Komisioni Evropian propozoi të mërkurën një fond masiv prej 750 miliardë eurosh, për t’iu ndihmuar vendeve të BE-së që t’i tejkalojnë pasojat ekonomike, të shkaktuara nga kriza e koronavirusit.
Ekonomitë e të 27 vendeve të bllokut janë shkatërruar nga pandemia, por disa prej tyre kanë qenë në borxhe edhe përpara saj.
Fondi do të përbëhet nga grante dhe kredi për secilin shtet anëtar të BE-së.
Ai u bë publik nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të shpjegojë se si do të paguhet fondi.
"Kjo ka të bëjë me të gjithë ne dhe është shumë më e madhe se kushdo prej nesh", i tha Von der Leyen Parlamentit Evropian.
“Ky është momenti i Evropës”, tha ajo.
Komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni, tha se fondi është një “pikë kthese”.
Megjithatë, pa miratimin e të gjitha vendeve anëtare, ai nuk mund të shkojë përpara.
Disa shtete kundërshtojnë marrjen e borxheve për vendet e tjera.