Franca nuk lejon më përdorimin e hidroksiklorinës
Qeveria e Francës tha se mjekët në këtë vend nuk do të lejohen më që të përdorin hidroksiklorinën si ilaç për trajtimin e koronavirusit.
Vendimi vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e pezulloi këtë javë testimin e hidroksiklorinës dhe të klorokinës, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Hidroksiklorina, e cila përdoret normalisht për të trajtuar malarien ose artritin, është promovuar më herët nga virologu francez, Didier Raoult, i cili është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për të diskutuar përdorimin e saj si trajtim për pacientët me koronavirus.
Por, OBSH-ja tha këtë javë se ka pezulluar testimin e saj dhe të klorokinës, pasi një studim në revistën mjekësore britanike The Lancet ka konstatuar se përdorimi i këtyre ilaçeve te pacientët me koronavirus mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur.
Sipas studimit, ato mund të prodhojnë efekte anësore, sidomos aritmi të zemrës.
Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është duke marrë hidroksiklorinë për të lehtësuar simptomat nëse infektohet me koronavirus.
Trump ka thënë se nuk ka pasur asnjë efekt anësor.
Koronavirusi shkakton rënie rekorde në investimet në energji
Kriza e koronavirusit po shkakton rënien më të madhe të investimeve globale në energji.
Përpara pandemisë, fondet pritej të rriteshin për 2 për qind, por tani parashihet rënia e tyre për 20 për qind, tha të mërkurën Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Lënda djegëse është më e goditura, me një rënie fondesh për 30% për naftën dhe 15% për qymyrin.
Pas tyre vjen energjia e rinovueshme, ku investimet kanë rënë për 10%.
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, shumë vende kanë mbyllur ose kanë kufizuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik.
Kjo ka bërë që edhe emetimet e karbonit, që shkaktojnë ngrohjen globale, të bien.
Por, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se përodrimi i lëndëve djegëse do të rikthehet kur të mbarojë kriza me koronavirus dhe se ai mund t’i rrisë pastaj dukshëm emetimet e dioksid-karbonit.
“Shohim një rënie historike të emetimeve, por nëse nuk kemi paketa të duhura të rimëkëmbjes ekonomike, mund të shohim sërish rritje të emetimeve [të karbonit] dhe rënia e tyre këtë vit do të ishte e padobishme", tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.
Një pacient me koronavirus në QKUK, në gjendje kritike
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës aktualisht janë të shtrirë tetë pacientë të infektuar me koronavirus.
Prej tyre, dy raste janë në Repartin e Mjekimit Intensiv dhe njëri nga to është në gjendje kritike, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.
Dy pacientë të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa katër janë në gjendje stabile, thuhet po ashtu në njoftim.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1,047 raste me koronavirus.
Prej tyre, 794 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.
Koloseumi në Romë rihapet më 1 qershor
Atraksioni më i njohur turistik në Itali, Koloseumi, do të rihapet më 1 qershor, pas gati tre muajsh i mbyllur, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Parku Arkeologjik i Koloseumit, në përbërje të të cilit është Koloseumi dhe Forumi Romak, tha në njoftimin e rihpajes së muajt e fundit “të heshtjes surealiste” kanë qenë “shumë të vështirë” për të.
Vizitorët e Koloseumit tani do të duhet të paguajnë paraprakisht për vizitën, të vendosin maska në fytyrë dhe të kontrollojnë temperaturën në hyrje.
Vizitorët do të pranohen në grupe deri në 14 vetë, çdo 15 minuta.
Ashtu si monumentet dhe muzetë tjerë në Itali, Koloseumi dhe Forumi Romak janë mbyllur më 8 mars.
Vitin e kaluar, ata kanë tërhequr më shumë se 7.5 milionë vizitorë.
Në Romën e lashtë, kjo hapësirë, që daton nga shekulli i parë, është përdorur si vend për ekzekutime publike dhe sporte të përgjakshme.