Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:06 27.5.2020

Ekonomia e Francës pritet të tkurret për 20%

Ekonomia e Francës pritet të tkurret për 20 për qind në tremujorin e dytë të vitit, si rezultat i masave të ashpra të izolimit ndaj koronavirusit, tha Zyra e Statistikave e këtij vendi, Insee.

Sipas saj, në tremujorin e parë ekonomia franceze është tkurrur për 6 për qind.

Insee tha se aktiviteti ekonomik është kthyer për 21 për qind më pak se nivelet e zakonshme, pas lehtësimit të masave të izolimit, të cilat kanë qenë në fuqi nga mesi i marsit deri në fillim të majit.

Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë eknomitë e vendeve të Evropës, të cilat janë detyruar të mbyllin përkohësisht bizneset për të frenuar përhapjen e sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Këtë muaj, Gjermania, ekonomia më e fuqishme në Evropë, ka rrëshqitur në recesion.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të paraqesë sot një propozim zyrtar për rimëkëmbjen ekonomike të kontinentit.

09:57 27.5.2020

Mbajtja e kulturës gjallë në kohën e COVID-19

Nga filmat në makinë deri te koncertet në lagje - koronavirusi nuk ndali artin dhe traditat fetare.

09:36 27.5.2020

Koreja e J. regjistron numrin më të madh të rasteve me koronavirus në disa javë

Koreja e Jugut raportoi shtimin më të madh të rasteve të reja me koronavirus, pas shtatë javësh.

Ky vend është konsideruar si model global për frenimin e koronavirusit, me anë të testimeve masive.

Zyrtarët njoftuan për 40 raste të reja të mërkurën - shumica e tyre në një zonë të populluar metropolitane të Seulit.

Ky është numri më i lartë qysh më 8 prill, kur janë raportuar 53 raste të reja.

Pjesa më e madhe e rasteve të fundit, 36 sosh, u regjistruan në deponë e një firme elektronike.

"Dyshohet se rregullat themelore në depo nuk janë zbatuar", tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Kim Gang-lip, duke aluduar në distancimin fizik.

Nëse rregullat nuk zbatohen në vendet e punës, mund të kemi infektime masive, paralajmëroi ai.

Në total, Koreja e Jugut ka konfirmuar 11,265 raste me koronavirus dhe 269 viktima.

08:56 27.5.2020

Zelanda e Re, pa asnjë rast të hospitalizuar me koronavirus

Zelanda e Re tha se ka liruar nga spitali pacientin e fundit me koronavirus.

Për herë të parë në gati tre muaj, ky vend nuk ka të hospitalizuar asnjë rast me virusin ngjitës.

Autoritetet atje po ashtu thanë se nuk kanë regjistruar asnjë të infektuar të ri, për të pestën ditë me radhë.

Në total, Zelanda e Re ka konfirmuar rreth 1,500 raste me koronavirus dhe 21 viktima.

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kryeministrja Jacinda Ardern, në fund të marsit, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha aktiviteteve ekonomike, përveç shërbimeve thelbësore.

Më 27 prill, Ardern ka deklaruar se koronavirusi në këtë vend është eliminuar dhe ka urdhëruar rihapjen graduale të ekonomisë.

Zyrtarët janë të bindur se e kanë ndaluar transmetimin e virusit në komunitet, por thonë se shqetësimet e tyre do të rriten kur të rihapen kufijtë, në muajt e ardhshëm.

Mbi 420,000 njerëz në Zelandën e Re raportohet se kanë shkarkuar aplikacionin për gjurmimin e koronavirusit.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG