Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:42 25.5.2020

Pse vlera R është e rëndësishme në frenimin e koronavirusit?

Derisa vendet në mbarë botën përpiqen të dalin nga izolimi, ato po gjurmojnë një të dhënë që njihet si vlera R dhe që tregon se sa shpejt riprodhohet koronavirusi në mesin e popullatave. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, anëtari i task-forcës gjermane kundër pandemisë COVID-19, Tobias Welte, tregon se përse është e rëndësishme që vlera R të mbahet në ose nën 1.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link.

08:20 25.5.2020

Vendet evropiane vazhdojnë me lehtësimin e masave të izolimit

Qeveritë evropiane më 25 maj filluan fazën e re të lehtësimit të masave kundër pandemisë, pasi numri i të infektuarve të rinj po vazhdon të bie.

Në Gjermani dhe Çeki janë hapur restoranet, pasi më herët ishte lejuar vetëm shërbimi jashtë ambienteve të mbyllura, kryesisht në terraca.

Spanja do të fillojë heqjen e masave të izolimit në Madrid dhe Barcelonë.

Sipas rregullave të reja, njerëzit do të jenë në gjendje të takohen në grupe deri në 10 persona. Parqet do të rihapen dhe disa muze do të lejojnë një numër të kufizuar vizitorësh.

Njerëzit duhet të vazhdojnë të mbajnë maska mbrojtëse në publik dhe në ndërtesa ku distancimi fizik është i pamundur.

Spanja ka mbajtur në fuqi masat më të rrepta të izolimit në botë. Në këtë vend janë shënuar më shumë se 28 mijë vdekje nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

22:51 24.5.2020

Kina e trajtoi koronavirusin sikurse BRSS-ja Çernobilin, thotë zyrtari i lartë amerikan

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien e ka krahasuar mënyrën sesi e ka trajtuar Kina situatën me koronavirusin, me atë të incidentit bërthamor në Çernobil më 1986, nga ana e ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS).

Ai tha se Pekini e dinte se çfarë po ndodhte me virusin, por e gënjeu Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe i ndaloi ekspertët e jashtëm nga qasja në informacione.

"Ata lëshuan një virus në botë, i cili po shkatërron triliona dollarë pasuri ekonomike amerikane, të cilat ne po i shpenzojmë për të mbajtur të gjallë ekonominë tonë, për t'i mbajtur amerikanët të gjallë gjatë këtij virusi", tha O'Brien në një intervistë për televizionin NBC.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Robert O'Brien.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Robert O'Brien.

Shpërthimi në uzinën bërthamore në Çernobil ka ndodhur më 26 prill të vitit 1986, duke përhapur re radioaktive mbi pjesë të mëdha të Bjellorusisë, Ukrainës dhe Rusisë.

Afro 8.4 milionë njerëz në këto zona janë ekspozuar ndaj rrezatimit.

Moska vonoi në zbulimin e informacioneve për incidentin.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve lidhur me shpërthimin e epidemisë si dhe ka ngritur dyshime se virusi mund të ketë dalur nga një laborator kinez.

Kina ka mohuar akuzat.

Më shumë se 5 milionë njerëz janë infektuar dhe më shumë se 340,000 kanë vdekur, që nga shfaqja për herë të parë e virusit, në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë.

22:04 24.5.2020

Vendet e varfra, të goditura nga virusi dhe uria

Vendet e varfra, të goditura nga virusi dhe uria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:47 0:00

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG