Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:09 24.5.2020

Kosovë: Nga 138 të testuar, asnjë rast pozitiv me COVID-19

Të dielën në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i ri me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se gjatë 24 orëve janë testuar 138 persona dhe asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv në koronavirus.

Kjo është hera e parë që nuk është shënuar asnjë person i infektuar, brenda periudhës 24 orëshe, prej kur janë paraqitur rastet e para më 13 mars.

"Si në të gjitha vendet, edhe ne jemi futur në një normalitet të ri, me të cilin duhet të mësohemi", ka thënë Vitia.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka njoftuar se të dielën, janë shëruar edhe katër pacientë me COVID-19.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 1,032 raste me COVID-19. Prej tyre, 789 janë shëruar dhe 29 persona kanë vdekur.

20:43 24.5.2020

Franca u bën thirrje qytetarëve t'i kalojnë pushimet verore brenda vendit

Qeveria franceze, nuk dëshiron që këtë verë, qytetarët e saj, të udhëtojnë jashtë vendit dhe u rekomandon atyre që të kalojnë pushimet në Francë, tha të dielën ministrja franceze e Mjedisit, Elisabeth Borne.

Franca gjatë kohës së pandemisë
Franca gjatë kohës së pandemisë

Në fillim të këtij muaji, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ka të ngjarë që francezët nuk do të munden të udhëtojnë këtë verë, madje, sipas tij, edhe udhëtimet brenda Evropës, mund të kufizohen, për të zvogëluar rrezikun e një vale të dytë të epidemisë së koronavirusit.

Ministrja Borne, në një intervistë për radion France Inter, gjithashtu tha se javën e ardhshme qeveria do të vendosë për lehtësimin e rregullave për udhëtimet brenda Francës.

Francezët aktualisht nuk mund të udhëtojnë më shumë se 100 kilometra larg shtëpisë.

Ajo tha se parqet e Parisit do të qëndrojnë të mbyllura, pasi kryeqyteti akoma hyn në kategorinë e një "zone të kuqe" të rrezikshmërisë nga koronavirusi.

Kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur qeverisë që të rihapë parqet, pasi banorët, të cilët kryesisht jetojnë në apartamente pa kopshte, kanë tendencë të mblidhen rreth parqeve të mbyllura, ku është e vështirë të respektohen rregullat e distancës fizike.

19:53 24.5.2020

Kosova pa të dhëna të sakta për dëmet ekonomike nga COVID-19

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë arritur të nxjerrin një shifër të saktë se sa mund të ketë qenë dëmi që i është bërë ekonomisë që nga vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Kjo shifër, sipas zyrtarëve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, nuk mund të nxirret tani, derisa ende Kosova po përballet me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

19:17 24.5.2020

Mali i Zi pa asnjë pacient me COVID-19

Mali i Zi ka konfirmuar se nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirusin e ri.

"Pas 68 ditësh që nga rasti i parë, Mali i Zi aktualisht është pa pacientë me COVID-19", ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi.

Autoritetet kanë njoftuar se së fundmi janë kryer 140 teste për koronavirus dhe asnjë nuk ka dalur pozitiv.

"Ndërkohë rasti i fundit aktiv me COVID-19 i ka plotësuar kriteret për shërim të plotë", thuhet në njoftim.

Më 23 maj, Instituti njoftoi se numri i përgjithshëm i pacientëve që nga fillimi i epidemisë ka qenë 324.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG