Rusia raporton numër të lartë të viktimave nga COVID-19
Rusia ka raportuar 153 viktima nga koronavirusi, që është shifra më e lartë e rasteve me fatalitet, që prej se në këtë vend u shënuan rastet e para me koronavirus.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Rusi nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, ka shkuar në 3,541
Ndërkaq, sa i përket rasteve të reja, në 24 orët e fundit në Rusi janë regjistruar edhe 835 raste, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 344,481.
NBA në bisedime për të rinisur sezonin në fund të korrikut
Asociacioni Kombëtar i Basketbollit (NBA) në Shtetet e Bashkuara po zhvillon bisedime, për të rikthyer sezonin në rezortin Disney World në Florinda në fund të korrikut.
Garat në NBA u pezulluan më 11 mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Nëse vendoset që sezoni të rikthehet në fund të korrikut, atëherë të gjitha ndeshjet dhe ushtrimet do të zhvillohen në Orlando.
“Prioriteti ynë vazhdon të jetë shëndeti dhe siguria e të gjithë të përfshirëve. Ne jemi duke punuar me ekspertët e shëndetit publikë dhe zyrtarët qeveritarë në një seri udhëzimesh gjithëpërfshirëse me qëllim që të sigurohemi se do të ndjekim të gjitha protokollet shëndetësore dhe të mbrojtjes”, tha një zëdhënës i NBA.
Shtetet e Bashkuara janë goditur më së keqi nga koronavirusi. Në SHBA, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, janë regjistruar mbi 1,6 milion raste me koronavirus dhe mbi 97 mijë të vdekur.
Festa e Bajramit këtë vit më ndryshe për shkak të pandemisë
Besimtarët myslimanë në mbarë botën sot kremtojnë Festën e Fitër Bajramit.
Në Kosovë, falja e namazit të Bajramit u bë nga një rreth i ngushtë i Bashkësisë Islame të Kosovës, pa praninë e besimtarëve.
Por, në Maqedoninë e Veriut, besimtarët u lejuan që të falin Bajramin në xhami, por duke mbajtur maska dhe distancë fizike.
Tajlanda nuk raporton për raste të reja me koronavirus
Tajlanda nuk ka raportuar asnjë rast të ri me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit. Ky shtet, po ashtu ka thënë se nuk është shënuar asnjë i vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.
Kjo është hera e katërt gjatë këtij muaji që Tajlanda njofton se nuk ka asnjë rast të ri me koronavirus, tha zëdhënësi i task-forcës së qeverisë për koronavirusin, Panprapa Yongtrakul.
Në Tajlandë janë regjistruar 3,040 raste me koronavirus, ku 56 prej tyre kanë vdekur dhe 2921 të tjerë janë shëruar.