Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
23:14 23.5.2020

Gjermani: Mbi 40 persona infektohen me koronavirus pas shkuarjes në kishë

Më shumë se 40 vizitorë të kishave, që kanë marrë pjesë në një meshë më herët gjatë këtij muaji në Gjermani, janë prekur nga koronavirusi, kanë thënë zyrtarët.

Mesha është mbajtur më 10 maj në një kishë baptiste në Frankfurt.

Zyrtarët e kishës kanë thënë se kanë zbatuar rregullat e distancimit fizik dhe kanë dezinfektuar ndërtesën para organizimit së meshës.

Secili prej 16 landeve gjermane vendos rregullat e veta të daljes nga izolimi.

Hesse, ku gjendet Frankfurti, ka lehtësuar kufizimet për lutjet e besimtarëve nëpër objekte fetare nga 1 maji.

Ata që kanë marrë pjesë në shërbime të këtij lloji kanë mbajtur distancën prej 1.5 metrave dhe janë pajisur me dezinfektues.

Gjermania ka regjistruar numër relativisht të vogël të të prekurve me koronavirus, 177,850, ndërkohë që 8,216 prej tyre kanë vdekur, sipas të dhënave të Instituti federal, Robert Koch.

Këto shifra u kanë mundësuar autoriteteve lehtësimin e masave të izolimit në dy javët e fundit.

Dyqanet janë rihapur, nxënësit janë kthyer nëpër shkolla dhe lojtarët e ligës së futbollit janë kthyer në fushë.

22:49 23.5.2020

Shtatë raste të reja me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar të shtunën shtatë raste të reja me koronavirusin e ri, pas kryerjes së 306 testeve.

"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit:1 rast Gërnçar, 1 rast Jabllanicë dhe 1 rast Prizren), komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Vushtrri) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë", është thënë në njoftim.

Po të shtunën është bërë e ditur se nga sëmundja, Covid-19, që shkakton ky virus, janë shëruar tre pacientë, duke e çuar numrin total në 785.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 1,032 raste me koronavirus.

Prej tyre, 29 pacientë kanë vdekur.

22:01 23.5.2020

Qiproja rihap plazhet

Të shtunën janë rihapur plazhet në Qipro, teksa ky shtet shënon ditën e parë pa raste të reja me koronavirus, prej kur janë raportuar rastet e para më 9 mars.

Deri një ditë më parë, banorëve u është lejuar që të hyjnë në det, mirëpo tani ata mund të qëndrojnë edhe nëpër plazhe, për aq kohë sa mbajnë distancën fizike.

“Ne kemi vendosur tavolinat dy metra larg”, ka thënë Panayiotis Neokleous për agjencinë e lajmeve, AFP, pronar I një kafiterie në ambientet e plazhit në Larnaka.

“I gjithë stafi ka kryer testet për koronavirus, të gjithë janë negativë. Ne vendosim maska mbrojtëse, doreza, dhe dezinfektojmë duart disa herë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se vera nuk do të jetë aq e suksesshme për shkak të numrit më të vogël të turistëve.

21:10 23.5.2020

Mijëra persona protestojnë kundër masave të izolimit në Spanjë

Mijëra persona kanë protestuar të shtunën në Spanjë, kundër menaxhimit të koronavirusit nga ana e qeverisë.

Partia e të djathtës ekstreme, Vox u ka bërë thirrje mbështetësve që të vozitin makinat nëpër qytetet më të mëdha spanjolle, në mënyrë që të grumbullohen, por duke mbajtur distancën fizike.

Protestuesit në kryeqytetin Madrid kanë mbajtur flamuj spanjollë nëpër duar, teksa i kanë bërë thirrje kryeministrit socialist, Pedro Sanchez që të japë dorëheqje.

Spanja ka aplikuar disa prej masave më të ashpra në Evropë, me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Në javët e fundit ka lehtësuar disa prej tyre, mirëpo Madridi dhe Barcelona kanë vazhduar të jenë në izolim për shkak të numrit të madh të rasteve të prekura me koronavirus.

Mirëpo të dyja këto qytete do të lehtësojnë disa masa nga dita e hënë duke mundësuar grumbullimin e jo më shumë se 10 personave.

Prej marrjes së masave të para në fillim të muajit mars, janë mbyllur shumica e bizneseve, që ka çuar në parashikime për tkurrje të ekonomisë për 12 për qind këtë vit në territorin spanjoll.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG