Itali: 119 viktima të reja me koronavirus
Numri i personave të vdekur me koronavirus në Itali është rritur për 119, në 32,735 – duke shënuar shifrën e tretë më të lartë të viktimave në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në 24 orët e fundit, autoritetet kanë konfirmuar 669 raste të të infektuarve, duke e çuar numrin total në 229,372 – të gjashtin më të lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Spanjës, Britanisë dhe Brazilit.
Aktualisht në këtë shtet, në kujdes intensiv, janë duke u trajtuar 572 persona.
Nga shumë e përgjithshme e të infektuarve, 138,840 deri më tani janë shpallur të shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Numri i viktimave me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar shkon në 36,675
Autoritetet britanike kanë regjistruar 282 vdekje të reja me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dhënat nga Departamenti për Shëndet dhe Kujdes Shoqëror kanë thënë se shifrat deri në mëngjesin e së shtunës tregojnë për 36,675 viktima të lidhura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Teksa ka prezantuar të reja e fundit, Sekretari britanik i Transportit, Grant Shapps ka thënë: Kjo nuk është vetëm listë e statistikave, mirëpo një përkujtues shkatërrues i mizorisë së koronavirusit”.
Pandemia pezullon projektet e reja kapitale
Të gjitha projektet e reja kapitale, të parapara në buxhetin e Kosovës për vitin 2020, janë pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vlera e përgjithshme e projekteve të reja kapitale për këtë vit është 122,8 milionë euro, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve. Nga vlera e përgjithshme, mbi 51,3 milionë euro ishin ndarë për nivelin qendror, kurse 71,5 për nivelin komunal.
Disa nga projektet e reja, që janë paraparë në Ligjin për Buxhet të këtij viti, përfshijnë ndërtimin e urës në rrugën nacionale N9, segmenti Pejë- Kuqishtë, programet mbështetëse të sistemit shëndetësor, ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Komaran- Drenas, zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Vushtrri, renovimet në objektet e Fakultetit të Mjekësisë dhe shumë renovime të tjera të objekteve të fakulteteve, por edhe projekte të shumta në infrastrukturë.
Pezullimin e projekteve të reja të parapara në buxhet, për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasnqi. Ai ka thënë se situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit është arsyeja e pezullimit të projekteve, në mënyrë që shuma e këtyre mjeteve të shpenzohet për lehtësimin e efekteve ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.
Materialin e plotë e gjeni këtu.
Vuhani kryen 1.4 milion teste për koronavirus brenda ditës
Vuhani, qyteti kinez ku ka shpërthyer fillimisht koronavirusi i ri vitin e kaluar, ka testuar 1,470,950 persona për këtë virus të premten, kanë thënë zyrtarët.
Më herët gjatë këtij muaji, autoritetet kineze kanë vënë një shënjestër ambicioze për testim të gjithë popullsisë 11 milionë banorëshe në më pak se dy javë.
Ata besojnë se kjo është mënyra më e mirë për të siguruar rihapje të sigurt të bizneseve dhe shkollave.
Kjo fushatë synon të identifikojë bartësit pa simptoma – personat që janë të infektuar por që nuk shfaqin shenja se janë të sëmurë.
Numri i testimeve të kryera brenda ditës është rritur gradualisht. Më 18 maj, ky qytet ka kryer 467,847 teste, ndërkohë që deri të enjten, numri është rritur në më shumë se 1 milion.
Ky lajm vjen teksa Kina nuk ka raportuar asnjë rast të ri në territorin e saj të prekur me këtë virus, prej kur ka shpërthyer sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Kina ka regjistruar deri më tani më shumë se 84,000 persona të infektuar dhe 4,600 të vdekur si pasojë e këtij virusi.