Kroacia pa asnjë rast të ri me koronavirus në 24 orët e fundit
Në Kroaci gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus, ka bërë të ditur Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile.
“E 89-ta ditë që nga shfaqja e koronavirusit: 2,243 të sëmurë dhe 2,023 të shëruar. Sot i gëzohemi numrit, të cilin e kemi arritur me përgjegjësi dhe disiplinë, zero të infektuar të rinj”, ka shkruar në rrjetin social, Twitter, Ministri kroat i Shëndetësisë, Villi Berosh.
Në Kroaci deri më 23 maj, 99 pacientë kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Aktualisht mësohet se 121 persona janë të sëmurë, ndërsa gjashtë prej tyre janë duke u trajtuar me respiratorë.
Në total, autoritetet kroate kanë testuar mbi 60,000 persona.
Pandemia ndryshon mënyrën e të ushqyerit
Paraqitja e koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka ndryshuar edhe mënyrën e të ushqyerit të njerëzve.
Shpallja e koronavirusit si pandemi, ka çuar në shpalljen edhe të gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut dhe rrjedhimisht kufizimin e lëvizjes, por edhe të karantinës shtetërore.
Të përballur me rrethana të reja, kategoritë e njerëzve që kanë bërë jetë dinamike, e cila ka imponuar ushqime të shpejtë dhe jo të shëndetshëm, tani dy muaj kanë aplikuar një regjim krejt të ndryshëm ushqimor, duke e përgatitur në shtëpi. Kjo, sipas ekspertëve, shihet si shumë pozitive pasi njerëzit duhet të kenë kujdes jo vetëm nga koronavirusi, por edhe nga ushqimet që mund të jenë shkaktarë të sëmundjeve tjera.
“Mendoj se njerëzit janë vetëdijësuar se duhet të jemi në gjendje gatishmërie gjatë tërë kohës që të luftojmë sëmundjet e ndryshme, jo vetëm në këtë rast të pandemisë, por për sëmundje tjera që janë të lidhura ngushtë me ushqimin. Ne e dimë se ushqimi kohëve të fundit është bërë edhe arsyeja kryesore e paraqitjes së një numri shumë të madh të sëmundjeve. Të ushqyerit e shëndetshëm në vazhdimësi, mendoj këtu për të gjitha moshat, në njëfarë mënyre edhe e përgatit trupin tonë, e bën një luftëtar të madh ndaj të gjitha rreziqeve të jashtme”, thotë për Evropën e Lirë, Valbona Kadriu, dietologe.
Franca prezanton karantinë reciproke për britanikët
Personat që arrijnë në Francë nga Britania do të duhet të vetizolohen për 14 ditë, nga 8 qershori, ka njoftuar Qeveria franceze.
Kur masa e karantinës është përmendur për personat që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, ka pasur shenja se qeveria e këtij vendi do të bënte përjashtim për Francën, mirëpo vendime të ngjashme nuk janë marrë ende.
Franca ka thënë se do të prezantojë masa reciproke për secilin vend evropian që zbaton karantinë.
Udhëtarët që arrijnë nga në Francë nga Spanja me aeroplan, po ashtu do t’iu duhet të zbatojnë karantinën nga dita e hënë.
Planet e Mbretërisë së Bashkuar për karantinë pritet të rishikohen çdo tre javë pas prezantimit.
La Liga mund të rikthehet më 8 qershor
Liga spanjolle e futbollit, La Liga mund të rikthehet në fushë nga 8 qershori, ka thënë kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
Presidenti i Ligës, Javier Tebas ka thënë se shpreson që ndeshjet të nisin më 12 qershor, ndonëse La Liga ende nuk ka konfirmuar datën përfundimtare.
Lojtarët e kësaj Lige kanë nisur stërvitjet në grupe të më pak se 10 personave gjatë kësaj jave.
“Spanja ka bërë atë që është dashur dhe tani horizontet e saj janë duke u hapur për secilin. Ka ardhur koha për të rikthyer aktivitetet e përditshme”, ka thënë Sanchez.
“Nga 8 qershori, La Liga do të rikthehet”.
Spanja është një prej vendeve të prekura më së keqi nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky shtet ka regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar dhe mbi 28,000 të vdekur me këtë virus.