Një i vdekur dhe 20 raste të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut
Është regjistruar edhe një viktimë nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, viktima është një burrë 63 vjeç, i cili kishte qenë në trajtim mjekësor në spitalin e përgjithshëm të Shkupit, që nga 6 maji.
Me këtë numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend ka arritur në 113. Numri më i madh i vdekurve është në Shkup, gjithsej 24 persona, ndërsa qyteti i dytë me më shumë viktima është Kumanova, me 21 vdekur.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 20 raste të reja të të infektuarve në 24 orët e fundit. Prej tyre, 16 janë në Shkup, dy në Kumanovë dhe dy në Prilep.
Numri i personave që ende janë pozitivë me koronavirus është 417 nga 1,941 persona që janë infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë edhe 24 janë shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 1,411.
Ministria ka njoftuar për realizimin e 744 testeve dhe prej tyre 355 janë në kuadër të kontrolleve për punonjësit e kopshteve.
Që nga paraqitja e virusit, në Maqedoninë e Veriut janë bërë gjithsej 24,762 teste.
Drejtuesit e institucioneve edhe të shtunën kanë përsëritur thirrjet për respektimin e masave për mbrojtje nga koronavirusit, në veçanti gjatë festës së Fitër Bajramit që shënohet të dielën.
Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rralla që ka lejuar faljen e Bajramit, duke e shtyrë ndalesën për lëvizje nga ora 11:00 deri të martën në orën 5:00.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi në një mesazh drejtuar besimtarëve, i ka ftuar që të respektojnë masave të aplikuara nga institucionet shëndetësore.
“Ju lutem tregoni kujdes për shëndetin e juaj deri në eliminimin e tërësishme të masave që po i imponon pandemia sepse mbrojtja e shëndetit është një obligim i rëndësishëm fetar islam”, ka deklaruar Rexhepi.
Irani do të lehtësojë masat e izolimit
Presidenti iranian, Hassan Rohani tha se autoritetet do të lejojnë që të rihapen më shumë biznese, vende kulturore dhe objekte fetare, si pjesë e lehtësimit të masave që u vendosën kundër koronavirusit.
Rohani tha se vendet historike dhe muzetë po ashtu do të hapen duke filluar nga 24 maji, që përkon edhe me festën e Fitër Bajramit.
Ai tha se objektet fetare – ku shumë persona ishin infektuar në fillim kur shpërtheu pandemia – do të rihapen një ditë më pas dhe besimtarët duhet të mbajnë distancë sociale dhe masa tjera për të parandaluar përhapjen e virusit.
Në Iran, sipas Rohanit, po ashtu do të rihapen restorantet dhe do të rinisin ndeshjet sportive, por pa praninë e shikuesve. Ndërkaq, universitetet pritet të rihapen muajin e ardhshëm.
Në Iran, deri më tani 7,359 persona kanë vdekur, ndërkaq 131,652 persona janë infektuar me koronavirus.
Demokratët kritikojnë Shtëpinë e Bardhë për dërgimin e ventilatorëve në Rusi
Ligjvënësit amerikanë janë ankuar në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të dërgimit të dhjetëra ventilatorëve të prodhuar në SHBA për në Rusi. Ata kanë thënë se ky veprim është bërë pa justifikim dhe se potencialisht mund të privojë amerikanët e prekur nga koronavirusi, që të trajtohen.
Letra, që është nënshkruar nga pesë ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, është zhvillimi i fundit sa i përket dërgesave të pajisjeve mjekësore nga SHBA-ja në Rusi. Rusia po ashtu ka bërë një gjest të ngjashëm gjatë kësaj jave.
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se rreth 200 ventilatorë – në vlerë prej 5,6 milionë dollarësh – do të dërgohen në Rusi, duke e cilësuar këtë si “donacion humanitar”. Avionët ushtarakë, që bartnin këto pajisje, arritën në Moskë më 21 maj.
Në letrën dërguar presidentit Donald Trump, ligjvënësit vunë në dyshim arsyetimin e Shtëpisë së Bardhë për dërgesën.
“Nuk duket se administrata juaj është duke hartuar ndonjë politikë për të përcaktuar nëse këta ventilatorë po shkojnë në shtetet që kanë më shumë nevojë dhe nëse dërgimi i tyre do të kontribuojë në sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në letër.
“Në vend të kësaj, duket se ju mund të ofroni ose shisni ventilatorë në vende të tjera, si dhuratë ose favorizime që t’iu shërbejnë interesave tuaja politike ose personale, pa ndonjë arsyetim strategjik”, thanë ata.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka reaguar lidhur me këtë letër.
Dërgesa e ventilatorëve nga SHBA-ja në Rusi, u pasua pas dërgimit të 45 ventilatorëve dhe pajisjeve të tjera mjekësore nga Moska për në SHBA në muajin prill.
Si Uashingtoni, po ashtu edhe Kremlini kanë thënë se dërgesat e pajisjeve mjekësore janë shembull i bashkëpunimit, pavarësisht raporteve jo të mira ndërmjet dy vendeve.
Ndalohen katër persona, nuk respektuan masat kundër koronavirusit
Katër persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit nuk kanë respektuar masat e ndërmarra nga autoritetet për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
Sipas njoftimit të policisë, dy persona janë ndaluar në Komunën e Prizrenit dhe nga një person është ndaluar në Mitrovicë të Jugut dhe Pejë.
Që prej 18 majit, në Kosovë ka nisur faza e dytë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit. Në këtë fazë – e cila pritet të zgjasë deri më 2 qershor – janë hapur një sërë biznesesh.
Qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë katër orë në ditë – dy orë paradite dhe dy pasdite. Orari i qarkullimit është i rregulluar në grupe, në bazë të numrit të parafundit në letërnjoftim.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, deri më tani janë regjistruar 1,025 raste me koronavirus. Prej tyre, 782 janë shëruar dhe 29 pacientë kanë vdekur.