Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:56 23.5.2020

Kosovarët, më të dhunshëm gjatë pandemisë

Rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje për 30 për qind që nga koha kur në Kosovë është shpallur pandemia dhe vendi hyri në izolim.

Organizatat që monitorojnë këto raste besojnë se kjo shifër do të ishte shumë më e madhe sikur të gjitha viktimat, sidomos gratë, të kishin mundësinë dhe guximin të lajmëronin ushtrimin e dhunës ndaj tyre.

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se jo të gjitha rastet janë raportuar në polici në periudhën e pandemisë së koronavirusit të ri.

“Jemi duke parë një shtim të rasteve të raportuara nga viti në vit. Në secilin vit, numri i rasteve është më i lartë se tjetri. Është shumë shqetësues, mirëpo ne mendojmë se ndoshta edhe raportimi nuk është aq i lartë gjatë kohës së pandemisë, se ndoshta mund të ketë edhe më shumë raste për shkak se pandemia e ka vështirësuar mundësinë që personat që përjetojnë dhunë në familje, ta raportojnë atë”, thotë Kurti.

Artikullin e plotë e gjeni këtu.

12:07 23.5.2020

OBSH: Në Afrikë, nivel i ulët i vdekshmërisë nga COVID-19

Në 54 shtete të Unionit Afrikan janë raportuar 103,933 raste me koronavirus të shtunën, ka njoftuar Qendra Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve.

Deri më tani, shtetet afrikane kanë raportuar për 3,183 të vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, ndërkaq, 41,473 pacientë janë shëruar.

Ka pasur parashikime të ndryshme lidhur me ndikimin që mund të ketë pandemia e koronavirusit në Afrikë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pandemia në Afrikë “duket se po merr një kahe tjetër”.

“Numrat e rasteve nuk janë rritur në të njëjtën normë eksponenciale si në rajonet e tjera dhe deri më tani në Afrikë nuk ka pasur vdekshmëri të lartë (nga COVID-19), siç kemi parë në disa pjesë të botës. Për krahasim, kur rastet në 100,000 në rajonin evropian, vdekjet ishin më shumë se 4,900. Analiza e hershme e OBSH-së sugjeron se niveli i ulët i vdekshmërisë në Afrikë mund të jetë rezultat i demografikë dhe faktorëve të tjerë të mundshëm. Afrika është kontinenti më i mirë sa i përket demokrafisë, me më shumë se 60 për qind të popullsisë nën moshën 25-vjeçare. Në Evropë, gati 95 për qind e vdekjeve ndodhën te të moshuarit, mbi 60 vjeç”, tha OBSH-ja.

OBSH po ashtu ka theksuar se qeveritë afrikane kanë ndërmarrë masa kufizuese me qëllim që të parandalojnë përhapjen e mëtejme të virusit. Megjithatë, kjo organizatë thekson se pavarësisht “përparimit të shënuar, sa i përket testimeve”, niveli i testimeve vazhdon të jetë i ulët krahasuar me rajonet e tjera.

OBSH po ashtu thotë se pavarësisht numrit të ulët të rasteve, “pandemia vazhdon të jetë kërcënimi kryesor ndaj sistemit shëndetësor” në kontinentin afrikan.

11:23 23.5.2020

Kina nuk raporton asnjë rast të ri me koronavirus

Kina nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me koronavirus në 24 orët e fundit.

Kjo është hera e parë që në këtë shtet – ku u shënuan rastet e para me koronavirus në dhjetor – që nuk regjistrohet asnjë rast i ri me sëmundjen COVID-19.

Komisioni Shtetëror Shëndetësor gjithashtu ka njoftuar se në 24 orët e fundit nuk është shënuar asnjë viktimë nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Që prej se rastet e para u raportuan në qytetin kinez të Vuhanit, mbi pesë milionë persona në mbarë botën janë infektuar me koronavirus dhe 338,000 kanë vdekur.

Kina ka raportuar për mbi 84,000 raste me koronavirus dhe 4,600 të vdekur. Megjithatë, autoritetet kineze vendosën masa të ashpra të izolimit në Vuhan dhe në mbarë provincën Hubei për të penguar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar të premten se Amerika Jugore tani është “epiqendra e re” e pandemisë së koronavirusit, ku shtetet më të goditura në këtë rajon janë Brazili dhe Meksika.

Vuhan, maj, 2020.
Vuhan, maj, 2020.

10:43 23.5.2020

Në Brazil rritet numri i të infektuarve me koronavirus

Brazili ka regjistruar një numër të madh të rasteve të reja me koronavirus, duke u bërë vendi i dytë në botë me numrin më të madh të infektimeve, pas Shteteve të Bashkuara.

Tani, në Brazili ka kaluar Rusinë dhe në këtë shtet të Amerikës Latine janë 330,890 raste dhe 21,048 vdekje nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Numri ditor i vdekjeve në Brazil në tre ditët e fundit ka qenë mbi 1,000. Ekspertët shëndetësorë thonë se mungesa e testimeve bën që të dyshojnë se shifrat në Brazil të jenë edhe më të larta.

Ky lajm për rritjen e numrit të rasteve me koronavirus në Brazil, vjen një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Amerika Jugore është “epiqendra e re” e pandemisë.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro vazhdimisht ka kritikuar këshilltarët shëndetësorë, është shprehur kundër masave të izolimit dhe ka minimizuar rreziqet nga COVID-19.

Sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins, SHBA-ja ka mbi 1,6 milion raste dhe afro 96,000 të vdekur, ndërkaq, në Rusi janë konfirmuar 326,488 raste dhe 3,200 viktima nga koronavirusi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG