Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:11 23.5.2020

Pandemia ndryshon traditën e myslimanëve për festën e Bajramit

Këtë fundjavë, myslimanët në mbarë botën shënojnë festën e Fitër Bajramit, me të cilën edhe përfundon Muaji i shenjtë i Ramazanit.

Por, këtë vit për shkak të masave kundër pandemisë, shumë myslimanë në botë nuk do të mund ta shënojnë këtë festë, sipas traditave të zakonshme.

Në varësi të pozicionit të hënës, festimet e Bajramit, këtë vit, fillojnë më 23 maj ose më 24 maj.

Shumë ceremoni të lutjeve të festës së Bajramit, festivale në natyrë dhe festime të tjera publike janë anuluar në të gjithë botën për shkak të pandemisë së COVID-19.

Artikullin e plotë e gjeni këtu.

Një besimtar mysliman duke u lutur në një xhami në Bejrut.
Një besimtar mysliman duke u lutur në një xhami në Bejrut.

09:44 23.5.2020

Australia u kërkon të rinjve të testohen për COVID-19

Shteti me popullsinë më të madhe në Australi u ka bërë thirrje të rinjve që të testohen për koronavirus, teksa vendi po përgatitet që të lehtësojë edhe më tej masat e izolimit, duke hapur restorantet dhe kafeteritë.

Shteti australian Nju Sauth Uells – ku përfshihet edhe qyteti i Sidnejt – është vendi që ka pothuajse gjysmën e numri të përgjithshëm të rasteve me koronavirus në Australi. Ky vend po planifikon që nga 1 qershori të rihapë restorantet.

Ekspertët shëndetësorë kanë kërkuar nga qytetarët që edhe pas lehtësimit të masave të vazhdojnë të mbajnë distancë dhe argumentojnë se rritja e testimit të të rinjve do të parandalonte një “valë të dytë” të infektimeve.

“Teksa ne do të vazhdojmë me lehtësimin e masave, është absolutisht thelbësore që njerëzit të vijnë e të testohen nëse ata kanë dyshimin më të vogël se mund të jenë infektuar apo nëse kanë probleme respiratore”, tha ministri i Shëndetësisë, Brad Hazzard.

“Duke hequr masat, posaçërisht në klubet e natës dhe hotelet, ne duhet të dërgojmë një mesazh të fuqishëm... se këta të rinj që mendojnë se janë të pamposhtur (nga koronavirusi), në të vërtetë nuk janë të tillë”, shtoi ai.

Në Australi deri më tani janë raportuar për 7,100 raste, ku në Nju Sauth Uells janë 3,086 prej tyre.

Numri i ulët i rasteve dhe i vdekjeve në Australi nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, kryesisht i atribuohet mbylljes së kufijve shtetëror dhe urdhrit që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

Për shkak të koronavirusit, plazhet janë mbyllur në Australi.
Për shkak të koronavirusit, plazhet janë mbyllur në Australi.

23:04 22.5.2020

Kisha bëhet "xhami" për myslimanët që s'kanë ku të falen në Gjermani

Një kishë në Berlin është duke mirëpritur myslimanë, që nuk janë në gjendje të shkojnë në xhami për Lutjet e së Premtes, pas udhëzimeve për distancim fizik, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Xhamia Dar Assalam në Neukolln zakonisht mirëpret qindra myslimanë për shërbimet e së premtes. Mirëpo tani mund të pranojë vetëm 50 persona, në kohën kur Gjermania zbaton masat e izolimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kisha Martha Lutheran ka ofruar ndihmë, duke u mundësuar besimtarëve myslimanë lutje në gjuhën arabe dhe gjermane.

“Është një shenjë e mirë pasi sjell gëzim në Ramazan dhe në mesin e krizës” ka thënë imami i xhamisë, Mohamed Taha Sabry.

“Kjo pandemi na ka bërë komunitet. Krizat i bëjnë njerëzit bashkë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Objektet fetare janë rihapur më 4 maj në Gjermani, pas mbylljes disajavore, ndonëse edhe tani besimtarët duhet të mbajnë distancë nga njëri-tjetri prej 1.5 metrave.

22:28 22.5.2020

SHBA: Mbi 1,000 të vdekur me koronavirus në 24 orët e fundit

Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara ka raportuar për 1,089 vdekje të reja me koronavirus në 24 orë, ndërkohë që janë regjistruar edhe 20,522 raste të reja të të infektuarve.

Territori amerikan është prekur më së keqi nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më tani në SHBA janë regjistruar 1,571,617 persona të infektuar dhe 94,150 të vdekur me këtë virus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG