Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
19:43 22.5.2020

Anulohet festivali Sunny Hill në Prishtinë

Organizatorët e festivalit të muzikës, Sunny Hill kanë njoftuar se kanë anuluar edicionin e sivjetmë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirus.

Ky festival, që për dy vite me radhë është mbajtur në Parkun Gërmia në Prishtinë, ka dërguar në Kosovë, emra të njohur të muzikës ndërkombëtare, si Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Miley Cyrus, Action Bronson, e shumë të tjerë.

“E konfirmojmë me zemër të thyer se Festivali Sunny Hill 2020 nuk do të mbahet në gusht, për shkak të krizës së pashembullt globale të shkaktuar nga Covid-19”, është thënë në njoftim.

Megjithatë, organizatorët kanë shprehur bindjen për mbajtje të festivalit në vitin e ardhshëm.

“Ndonëse jemi të mërzitur se nuk do ta festojmë këtë verë së bashku, ne mezi presim t’ju takojmë më 2021”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 5 milionë persona në gjithë botën janë infektuar me koronavirus.

Prej tyre, mbi 300,000 pacientë kanë vdekur.

19:18 22.5.2020

Në Maqedoninë e Veriut namazi i Bajramit mund të falet në xhami

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të premten që ora policore gjatë Festës së Bajramit, përkatësisht ditën e diel, të fillojë nga ora 11:00 dhe të zgjasë deri të martën në orën 5:00 të mëngjesit.

Paraprakisht Komisioni për Sëmundje Infektive, u kishte rekomanduar autoriteteve qeveritare, që gjatë kësaj fundjave, e cila përkon me festën e Fitër Bajramit dhe Ditës së Shën Qirilit dhe Metodisë, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, i gjithë shteti të futet në karantinë prej 58 orëve, përkatësisht ora policore të fillojë të shtunën në orën 19:00 dhe të përfundojë të martën në mëngjes.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe kishte përsëritur disa herë se numri në rritje i të infektuarve me koronavirus është si rrjedhojë e tubimeve familjare.

Por, Bashkësia Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ka paralajmëruar se nuk do ta pezullojë faljen e namazit të Bajramit gjatë të dielës.

18:58 22.5.2020

Dy ilaçe dalin të paefektshme në trajtimin e koronavirusit

Një studim i gati 100,000 pacientëve me koronavirus ka treguar se ilaçet hydroxychloroquine and chloroquine, nuk kanë pasur efekt të trajtimit të sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Studimi të ri, i publikuar të premten në revistën kërkimore, The Lancet, ka treguar se këto ilaçe në fakt kanë rritur mundësitë e vdekjes së pacientëve të prekur me këtë virus nëpër spitale.

Hydroxychloroquine zakonisht përdoret për të trajtuar artritin, mirëpo lajmet se figura publike, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump janë duke konsumuar këtë ilaç, kanë shtyrë qeveritë ta blejnë të njëjtin.

Chloroquine është ilaç kundër malaries. Të dyja ilaçet mund të shfaqin efekte anësore serioze, sidomos aritmi të zemrës.

“Trajtimi me chloroquine apo hydroxychloroquine nuk u ndihmon pacientëve me Covid-19”, ka thënë Mandeep Mehra, autor i studimit dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Spitalore për Sëmundjet e Avancuara të Zemrës në Boston.

“E kundërta, gjetjet tona sugjerojnë se ato mund të jenë të lidhura me rritje të rrezikut për probleme serioze të zemrës dhe rritje të rrezikut të vdekjes”.

Autorët e studimit kanë vlerësuar se këto ilaçe i përballin pacientët me 45 për qind më shumë rrezik të vdekjes nga Covid-19, në krahasim me sëmundjet tjera shëndetësore.

18:28 22.5.2020

Maqedonia e Veriut shqyrton mundësinë e izolimit gjatë Bajramit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të mbledhjes të së premtes do të shqyrtojë propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive, i cili ka rekomanduar që gjatë këtij vikendi, që përkon me festën e Fitër Bajramit dhe Ditës së Shën Qirilit dhe Metodisë, si masë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, i gjithë shteti të futet në karantinë prej 58 orëve, përkatësisht ora policore të fillojë të shtunën në orën 19:00 dhe të përfundojë të martën në mëngjes.

Paraprakisht, Bashkësia Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ka paralajmëruar se nuk do ta pezullojë faljen e namazit të Bajramit gjatë të dielës.

Nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut në një komunikatë me shkrim kanë theksuar se vendosja e orës policore prej 58 orëve nga e shtuna deri të martën, “do të irritonte pa masë besimtarët islamë, nga shkaku se gati një muaj në vikende nuk ka pasur orë policore, gjë që me automatizëm nënkuptohet se bëhet me qëllim që të ndalohet falja e namazit të Fitër Bajramit”.

Lexoni materialin e plotë këtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG