Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:57 22.5.2020

Madridi dhe Barcelona dalin nga izolimi të hënën

Rajoni i Madridit dhe zona e Barcelonës do të kalojnë në fazën e re të lehtësimit të masave të izolimit, të vëna me qëllim të luftimit të koronavirusit, ka njoftuar Qeveria spanjolle.

Të dyja këto rajone kanë qenë të prekura tejet keq nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, e cila deri më tani ka lënë të vdekur 27,940 në këtë shtet, pa harruar edhe 233,037 të infektuar.

Lehtësimi i kufizimeve në këto zona, nënkupton se e gjitha Spanja tani është në fazën e dytë apo të fundit të daljes nga izolimi.

Nga dita e hënë, njerëzit në këto hapësira do të mund të takohen në grupe deri në 10 persona, derisa restorantet do të rihapen me 50 për qind të kapacitetit.

Hapësirat për lutje do të shfrytëzojnë vetëm 30 për qind të kapacitetit të tyre.

Vendimi i qeverisë për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për 2 javë të tjera, të shpallur fillimisht më 14 mars, ka nxitur protesta në Madrid dhe vende tjera.

Partia e të djathtës ekstreme, Vox, u ka bërë thirrje njerëzve që të demonstrojnë me veturat e tyre në gjithë Spanjën ditën e shtunë.

17:19 22.5.2020

SHBA ndan për Kosovën 500,000 dollarë shtesë për të luftuar koronavirusin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka njoftuar të premten se Kosova do të pranojë 500,000 dollarë ndihmë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Paketa për Asistencë Globale e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Përmes një adresimi në rrjetin social, Facebook, Kosnett ka thënë se kjo shumë është shtesë e 1.1 milion eurove të ndara më parë nga SHBA-ja për Kosovën.

“Prej rastit të parë të identifikuar me këtë virus në Kosovë, ndihma jonë është fokusuar në mbështetjen e personave që kanë qenë në vijën e parë të frontit për të ulur përhapjen, në përkujdesjen ndaj të prekurve dhe ofrimin e pajisjeve që u duhen njerëzve për të luftuar sëmundjen Covid-19”, ka thënë Kosnett.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri në tani në këtë shtet janë raportuar 1.004 persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre 772 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

17:03 22.5.2020

Kosova rrezikon të humbasë rreth 300 milionë euro

Kosova rrezikon të humbasë miliona euro kredi nëse nuk arrin që të ratifikojë në Kuvend marrëveshjet të cilat janë negociuara nga Qeveria në detyrë e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.

Sipas të dhënave të Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve dërguar Radios Evropa e Lirë, totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshin pesë marrëveshje kredie në vlerë 228.1 milionë euro dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë 61 milionë euro.

Vlera e këtyre shtatë marrëveshjeve kap shumën e 289.9 milionë eurove.

Marrëveshjet për kredi të cilat kërkojnë ratifikim në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën e krijuar nga pandemia me koronavirus, por janë edhe marrëveshje tjera për projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza.

Materialin e plotë e gjeni këtu

16:21 22.5.2020

OKB: Sistemi shëndetësor në Jemen është rrënuar

Kombet e Bashkuara kanë thënë se punëtorët për ndihma kanë raportuar se sistemi shëndetësor në Jemen, “në fakt është rrënuar” ndërkohë që po përhapet koronavirusi në këtë shtet.

Jens Laerke, zëdhënës në Zyrën e OKB-së për Çështje Humanitare dhe Koordinim, e ka përshkruar situatën “jashtëzakonisht alarmuese” përgjatë një njoftimi në Gjenevë.

Ai ka thënë se agjencitë për ndihma kanë raportuar se njerëzit po refuzohen që të marrin trajtime, pjesërisht edhe nga mungesa e stafit dhe mungesa e pajisjeve mjekësore.

Autoritetet në Jemen kanë konfirmuar rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në këtë shtet janë regjistruar 197 persona të infektuar dhe 30 të vdekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirus.

Mirëpo OKB-ja beson se shifrat reale janë shumë më të larta.

Disa vjet të luftimeve, kanë rezultuar me miliona persona të pastrehë në Jemen, shumë prej tyre përballen me kequshqyerje, derisa pjesa më e madhe e popullsisë varet nga ndihmat.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG