Spanja lehtëson edhe disa masa të izolimit
Në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, të hënën do të lehtësohen disa masa të izolimit, pasi numri i rasteve me koronavirusin e ri po vazhdon të bie, thanë autoritetet shëndetësore.
Bareve dhe restoraneve në kryeqytet, do tu lejohet të rihapin terracat.
Në kuadër të lehtësimit të masave, do të lejohen edhe tubimet deri në 10 persona.
Të enjten, Spanja konfirmoi 48 raste të vdekjeve nga koronavirusi i ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Kjo ishte hera e parë, që nga shpërthimi i pandemisë, më 16 mars, që ky vend raporton numër kaq të ulët të vdekjeve.
Shifrat kishin arritur kulmin më 2 prill, kur u raportuan 950 të vdekur brenda periudhës 24 orëshe.
Deri më tani në Spanjë janë të regjistruar gjithsej 233,037 raste të infektuarve dhe 27,940 vdekje.
Megjithëse numri i të infektuarve dhe vdekjeve po bie, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, të mërkurën, fitoi mbështetjen e parlamentit për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy javë të tjera, deri më 6 qershor.
Pandemia i shkaktoi miliona humbje industrisë së qumështit në Kosovë
Vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit në Kosovë.
Përpos rënies së fuqisë blerëse, humbjet më të mëdha këtyre bizneseve u janë shkaktuar nga mbyllja e gastronomisë.
Krahas shitjes së produkteve në dyqane, markete dhe tregje të ndryshme, prodhuesit e produkteve nga qumështi furnizojnë restorantet e lokalet e ushqimit të shpejtë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Mbi 6 mijë të infektuar brenda një dite në Indi
India ka regjistruar më shumë se 6,000 raste të reja të infektuarve nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit.
Kjo është shifra me e lartë e të infektuarve brenda një dite.
Megjithatë, Qeveria e Indisë po lehtëson masat e izolimit të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Linjat ajrore janë duke u përgatitur të rifillojnë fluturimet e brendshme pas një pauze dy-mujore.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Indi, tha se deri më tani janë konfirmuar gjithsej 118,447 raste të infektuarve me koronavirusin e ri. Prej tyre 3.583 kanë vdekur, ndërsa më shumë se 48,000 janë shëruar.
India është vendi i 11-të në botë për nga numri i të infektuarve.
Greqia shtyn masën e izolimit në kampet e migrantëve
Greqia e ka zgjatur deri më 7 qershor masën e izolimit të vendosur në kampet e mbipopulluara të migrantëve.
Këto kampe janë të izoluara që nga muaji mars.
"Masat kundër përhapjes së koronavirusit janë vazhduar për banorët e qendrave të pritjes dhe identifikimit në të gjithë vendin", tha ministria greke e Migracionit përmes një deklarate.
Qeveria greke nuk ka dhënë detaje pse është shtyrë masa e izolimit për kampet e migrantëve, derisa vendi ka lehtësuar masat kundër koronavirusit në fillim të muajit maj.
Shpërthimi i epidemisë ka ndikuar shumë pak në kampe.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë link.