Në Klinikën Infektive po trajtohen 9 pacientë me COVID-19
Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se aktualisht janë të hospitalizuar 11 pacientë, ndërsa 9 prej tyre me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Një pacient është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Nga 9 pacientët e infektuar me COVID 19, 5 janë në gjendje stabile, kurse 1 pacient është me gjendje të rënduar dhe po trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”, thuhet në njoftim e Klinikës Infektive.
Klinika Infektive është në pritje të rezultateve të koronavirusit për 2 pacientë.
Në Kosovë janë konfirmuar 1.004 raste të infektuarve me koronavirusin e ri, prej të cilëve 29 kanë vdekur dhe 772 janë shëruar.
Rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.
Deri më tani janë testuar 12.551 persona.
Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.
Koronavirusi, në “favor” të të eturve për pushtet
A është Amerika Latine epiqendra tjetër e pandemisë?
Brazili ka regjistruar më shumë se 20,000 të vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Ky vend tani rradhitet i gjashti në botë për nga numri i vdekjeve.
Shpërthime të epidemisë ka pasur edhe në Meksikë, Kili dhe Peru. Tani, ekzistojnë frika se rajoni i Amerikës Latine mund të bëhet epiqendra tjetër e pandemisë.
Në Brazil raste e para të infektuarve u paraqitën më 26 shkurt dhe që nga atëherë virusi është përhapur në çdo vend të rajonit.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, vazhdimisht ka minimizuar pasojat e pandemisë.
Në rajonin e Amerikës Latine janë regjistruar më shumë se 500,000 raste të infektuarve, dhe më shumë se 30,000 njerëz kanë vdekur, sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Këto janë më pak raste dhe vdekje sesa në Evropë dhe SHBA, por numri i testimeve është më i ulët dhe ekzistojnë mungesa në raportimet e rasteve të vdekjes, raporton BBC.
Karantinë për vizitorët në Mbretërinë e Bashkuar
Personat që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar mund të përballen me gjobë nëse shkelin rregullën e karantinës.
Udhëtarët ndërkombëtarë mund të gjobiten me 1000 funta angleze (rreth 1200 dollarë amerikan) nëse nuk arrijnë të izolohen për 14 ditë pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Si pjesë e planeve të qeverisë, të gjithë personave që hyjnë në këtë vend do tu kërkohet të plotësojnë një formular, me informacionin e tyre të kontaktit, dhe vendin ku do të qëndrojnë të izoluar.
Përmes kësaj, zyrtarët shëndetësorë do të ishin në gjendje të vizitojnë këta persona në adresat private, për të kontrolluar nëse po qëndrojnë në karantinë.
Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi muajin tjetër.